Këtë të premte në emisionin “Sheshi i Dollarit” u diskutua lidhur profesionet që kërkohen dhe paguhen më shumë në Shqipëri.
Eksperti për çështjet e punësimit, Erald Pashaj, eksperti për çështjet ekonomike, Ferjolt Ozuni dhe Gertiola Çepani, përgjegjëse e shërbimit të punësimit, zbuluan se profesionet që zgjidhen më shumë nga të rinjtë janë ato që kanë lidhje me digjitalizmin, ndërsa ato që tregu kërkon më së shumti janë degët e arsimit profesional.
Sakaq, ekspertët kanë theksuar se përveç pagës, kërkon status, duke marrë shembull profesionin e bariut, që sot askush nuk e kërkon. Sipas tyre, edhe trendit të punëve në rrjetet sociale shumë shpejt do t’i vijë fundi.
Çepani: Jam shumë krenare të tregoj të gjitha arritjet që ka bërë institucioni këtë periudhë. Të rinjtë janë prioritet si i institucionit tonë ashtu dhe i qeverisë. Jo më shumë se një javë më parë ne kemi lançuar programin më të madh të të rinjve në fakt ‘Programin e garancisë rinore’, ku të gjithë të rinjtë mund të mbështeten me programe dhe shërbime për një periudhë 4 mujore nga data e paraqitjes në zyrën e punës. Kështu që trendi është shumë pozitiv, kemi tregues shumë pozitiv në lidhje me punësimin e të rinjve.
Tregu ka kërkesat e veta, është parë një rritje shumë e madhe që kërkon tregu në fushën e digjitalizimit, duke qene se dhe shërbimet online po rriten pafund. Edhe të rinjtë kanë një dëshirë shumë të madhe për të aplikuar në fushën e kodimit. Kështu që trendi po ecën drejt fushës online.
Pashaj: Punësimi është një nëndegë e ekonomisë edhe mes finanancës, por dhe midis aspektit psikosocial. Që do të thotë një ri kërkon një pagë por kërkon dhe diçka tjetër përtej pagës. Kërkon status, pra që puna e tij të jetë kuptimplotë. Në qoftë se ti i thua që do bëhesh bari, nuk e do këtë punë, sepse ne ndër vite e kemi anatemuar si profol pune dhe nuk ka të ri që ta dojë diçka të tillë. E njëjta gjë do të ndodhi me kamarierin pas 10 vitesh maksimumi. Që do të thotë kur ti t’i thuash një të riu që do shkosh të bëhesh kamarier, ai do të thotë nuk dua të bëhem kamarier. Kamarieri do të shihet si punë sezonale e studentëve siç është në vendet e zhvilluara dhe do të zëvendësohet kamarieri me robotin. Kjo do të ndodhë sepse ne e kemi anatemuar si profesion.
Ozuni: Ajo ç’ka është më e rrezikshme nga ky trend i rrjeteve sociale është që vjen një moment dhe mbaron. Pra, nuk është si profesionet që nuk mbarojnë asnjëherë, ne po vuajmë sot për elektriçistë dhe hidraulikë sepse kur i kishim masivisht nuk ditëm t’i vlerësojmë, ikën dhe tani që nuk i kemi më, po i kërkojmë. Ky lloj profesioni është gjithmonë i vlefshëm. Kurse rrjetet sociale kanë atë fitimin e menjëhershëm po një mungesë stabiliteti dhe të fitimeve.