MENU
klinika

“Berisha duhet të bëjë parti të re”

Fuga: Në Shqipëri deputetët bëjnë kompromis për mandatin e radhës

03.11.2023 - 23:47

Profesori dhe akademiku Artan Fuga ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, ku opozita ka zgjedhur të radikalizohet duke bllokuar punimet e Parlamentit, ndërsa mazhoranca e pashqetësuar vijon të kalojë ligje dhe vendime të rëndësishme.

Fuga tregoi defektin kushtetues që mban një Parlament të papërgjegjshëm, duke e lidhur atë me faktin që deputetët në Shqipëri bëjnë kompromise për mandatin e radhës në vend që të kenë fokusin te ligjbërja dhe të qenit “policë” e qeverisë.

“Nga pikëpamja sociologjike kjo situatë ku një grup një kolektiv që janë deputetët të cilët brenda përbrenda tyre janë të pakorrigjueshëm nga një forcë e jashtme. Brenda tyre ata sado të acarohen me njëri-tjetrin askujt nuk i shkon në mendje të thotë një minutë ne nuk po bëjmë detyrën tonë: ligjbërjen, kontrollin e qeverisë. Dhe një deputet me të ardhurat që ka tani është më shumë i instaluar në kolltukun e vetë dhe një pjesë e sjelljes së deputetëve lidhet me një vend në zgjedhjet e ardhshme”, tha Fuga në emisionin “Intervistë” nga Merita Haklaj në A2CNN.

Sa i përket kërkesave të opozitës, ku më kryesorja është lejimi i ngritjes së komisioneve hetimore parlamentare, akademiku tha se jurisprudenca nuk është kopsht fëmijësh dhe nëse shkelet Kushtetuta, siç mazhoranca akuzohet se ka bërë, atëherë është shkelur pakti.

“Hetimi parlamentar është i garantuar me Kushtetutë. 1/4 e deputetëve që mblidhen për komision hetimor, Kushtetuta thotë që do t’ua japësh. Është normë kushtetuese. Nuk kuptoj se për ç’arsye PS nuk jep leje për ngritjen e tyre. Jurisprudenca nuk është kopsht që i thuhet fëmijës që ke bërë shumë gabime dhe nuk të lëmë të dalësh jashtë. E drejta është tjetër gjë dhe rezultatet e komisionit hetimor apo që Gjykata Kushtetuese ka si konsideratë janë tjetër gjë. Nuk kuptoj çfarë humb shumica parlamentare nëse një grup deputetësh që plotësojnë kushtet të mos lejohen të ngrenë komision hetimor. Nëse shkel Kushtetutën ke shkelur paktin dhe nëse shkel të drejtën e opozitës e acaron gjendjen aty brenda”, deklaroi profesori.

Në vijim, Fuga tha se sheh heshtje dhe jo opozitë te PD zyrtare e Lulzim Bashës, ndërsa i sugjeroi Sali Berishës që të krijojë një parti të re, pse të investohet në një grup të fortë parlamentar.

“Berisha të krijojnë parti të re, ose të formojnë një grup që formëson një orientim të ri politik dhe kështu janë edhe me Kushtetutën edhe me rregulloren. Sepse me këtë situatë ku janë ata, fjala nuk u ka peshë në mënyrë të arsyeshme. Problemi është se kur ata vijnë për të thënë se përse nuk na njihini këtu ka problem dhe me këtë situatë i japin mundësi shumicës që thotë nuk plotësoni kërkesat e rregullores”, vijoi ai.

Sa i përket rrugës që duhet ndjekur për të ndërtuar një ekuilibër të ri në politikën shqiptare, që lidhet fort edhe me rrugën që do të ndjekë opozita, Fuga tha se “në Parlament duhet një parti e re që nuk ka nevojë të hedhë baltë, por që të shfaqet si një skalion”.

“Nuk mundet më me figura të vjetra. Gjëja më e mirë është kur investimin personal ta trashëgojë diku patjetër. Pushtetin tënd nëse nuk e transmeton një ditë do ta marrë Zoti. Nuk flas me emra por duhet një qeveri hije 40 -50 veta të moshave 30-40 vjeçare në garë dhe me njëri-tjetrin për majën dinamike që i jep kombit një alternativë”, deklaroi Fuga.