MENU
klinika

VENDIMI

Gjyqtarët dhe prokurorët e posaçëm do të udhëtojnë nga salla VIP e Rinasit

27.11.2023 - 12:46

Gjyqtarët dhe prokurorët e posaçëm që ndjekin dosjet për krimin dhe korrupsionin nuk do të udhëtojnë më nga terminali i pasagjerëve në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, por nga salla VIP e tij.

Ky vendim është marrë nga qeveria shqiptare pak ditë më parë në një nga mbledhjet e kabinetit qeveritar, me propozim të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Në vendimin e qeverisë shkruhet se po bëhet një ndryshim në ceremonialin shtetëror dhe pasi ky vendim të hyjë në fuqi në Fletoren Zyrtare, salla “VIP” e aeroportit do të jetë e përdorshme edhe nga nënkryetarët e Gjykatës së Posaçme dhe Prokurorisë së Posaçme dhe nga prokurorët apo gjyqtarët e këtyre strukturave, nga më të rëndësishmet e Reformës në Drejtësi.

Në ceremonialin aktual, salla “VIP” është në dispozicion vetëm të dy drejtuesve të lartë të Gjykatës dhe SPAK-ut.

Në vendimin e ri të qeverisë përcaktohet se edhe krerët e misioneve diplomatike të Republikës së Shqipërisë do të kenë të njëjtën portë hyrjeje apo daljeje nga kufijtë shtetërore të vendit.