MENU
klinika

Arsyet pse s’mund të ndodhë

Greqia na ‘kërcënon’ me bllokim, Ardit Bido: Athina s’e bën atë gafë

20.11.2023 - 16:09

Kreu i Arkivës Shqiptare, Ardit Bido thotë se Greqia nuk mundet që një çështje juridike siç është ajo e zotit Beleri ta kthejë në një çështje të bllokimit të Shqipërisë sepse do të mbetej e vetme.

Në këto kushte, sqaroi Bido, Greqia s’do të kishte mbështetjen e Gjermanisë dhe të Francës, që janë kryeqendra e Bashkimit Europian, prandaj kërcënimet për bllokim nuk mund të ndodhin ose në të kundërt çështjet shqiptaro-greke do të ktheheshin në çështje europiane, gjë që nuk ju leverdis.

“Greqia është një shtet serioz, është partner dhe mbështetës i Shqipërisë në procesin e integrimit europian, por mbi të gjitha është një shtet që nuk bën autogola.

Unë e shoh pak të vështirë se si Greqia do të merrte këtë çështje, kallëzuesin juridik Beleri dhe ta kthente në kaos politik sepse nëse do ta bënte këtë gjë dhe me këtë arsyetim do të bllokonte hapjen e negociatave të Shqipërisë në dhjetor, atëherë do të mbetej e vetme në Bashkimin Europian dhe Greqia nuk i bën këto lloj gafash.”, u shpreh Bido.

Ndërkohë në një intervistë të fundit për televizionin francez “France24”, kryeministri Edi Rama është pyetur edhe për çështjen e integrimit në BE dhe bllokimin që po bën Greqia të letrës së 27 vendeve anëtare për hapjen e kapitujve për shkak të çështjes Beleri.

Rama u shpreh se nuk beson se bllokimi do të qëndrojë, pasi sipas tij, atëherë nuk do të ishte aspak serioze.

‘Unë nuk dua t’i futem kësaj polemike. Sinqerisht nuk besoj se ky bllokim do të qëndrojë, sepse nuk do të ishte serioze. Nga ana tjetër, është vetëm çështje e drejtësisë. Nëse shikoni raportin e progresit, Shqipëria vlerësohet vërtet mirë për çështjet e reformës në drejtësi. Unë jam shumë i kënaqur sepse Shqipëria është vendi më i përparuar në të gjithë Ballkanin për këto çështje.’, tha Rama.