MENU
klinika

Pas kërcënimeve disa-mujore

Greqia pengon Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit të BE

14.11.2023 - 12:36

Greqia duket se ka marrë masa pas kërcënimeve disa-mujore për të penguar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Euractiv raporton se shteti helen ka refuzuar të nënshkruajë një letër të 27 vendeve anëtare drejtuar Komisionit Europian, që kërkon hapjen e pesë kapitujve të parë në këtë proces.

Tensionet mes Greqisë dhe Shqipërisë janë përshkallëzuar që prej majit, kur kandidati për kryetar bashkie nga pakica greke, Fredi Beleri, i cili garoi nën siglën e koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për Himarën, u arrestua vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve lokale, nën dyshimet për blerje votash.

Beleri i fitoi zgjedhjet, por nuk ka mundur të betohet si kryebashkiak, për shkak të burgosjes, pavarësisht apeleve të shumta për t’u lejuar të betohet, ose për të përfituar një masë më të butë sigurie.

Athina vazhdimisht i ka kërkuar Tiranës t’i lejojë Belerit të betohet, duke e quajtur burgosjen e tij të nxitur politikisht dhe mbi baza etniciteti. Qeveria shqiptare është përgjigjur se nuk mund të ndërhyjë në procese gjyqësore dhe se sistemi i drejtësisë duhet lejuar të punojë i pavarur.

Gjatë fundjavës, qarkulluan fjalë se Athina kishte refuzuar të mbështeste një letër ku Komisionit i kërkohej hapja e pesë kapitujve të parë të negociatave. Një burim në dijeni të çështjes në Këshillin e BE-së i konfirmoi Euractiv se kjo është e vërtetë.

Sipas burimit, Athina thekson disa çështje që i takojnë sundimit të ligjit, si rasti i Belerit, ashtu edhe zbatimi i disa ligjeve që lidhen me pakicën greke të Shqipërisë.

Burimi theksoin se pala shqiptare duhet të tregohet “kreative” në zgjidhjet e krizës së krijuar në çështjen e Belerit.

Athina zyrtare kërkon që Beleri të lejohet të betohet si kryebashkiak, pasi ky është një vendim administrativ që mund të merret nga Qeveria shqiptare, ndërsa sistemi i drejtësisë merr vendimet e veta në mënyrë të pavarur.

Procedura të tjera si martesat, deklarimet dhe marrëveshjet mund të merren në prani të një noteri apo një zyrtari në ambientet e burgut, ose nëse individi dërgohet në ambientet e institucioneve, nën mbikëqyrjen e policisë.

Ish-presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha, gjithashtu nën hetim, ka deklaruar se arrestimi dhe gjyqi i Belerit janë inskenuar nga policia dhe gjykata. Ai la të kuptohet se pas këtij rasti është Rama dhe kjo “ka çuar në një përballje me fqinjët tanë”, duke iu referuar marrëdhënieve të tensionuara.

Së fundmi, Kryeministri Rama, në një intervistë për podcastin “Inside Albania” nga Alice Taylor, që transmetohet në Euronews Albania, përsëriti se situata nuk është në dorën e tij dhe ai nuk mund të ndërhyjë kurrsesi.

“Besoj se i kam bërë shpjegimet e mia. Ky nuk është një debat mes Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Greqisë, sepse ka të bëjë me drejtësinë… është në duart e sistemit të drejtësisë”.

Ai shtoi, “Në fund, çfarëdo që të thonë palët nuk do të zgjidhje problemin që mund ta zgjidhë vetëm rruga e drejtësisë”.

I pyetur nga Alice Taylor nëse Beleri mund të lejohet të betohet, Rama tha se, “Ka teori të ndryshme për këtë, por thelbi është se kjo do të përcaktohet nga gjykata”, duke shtuar se deri më tani nuk ka një tregues të qartë se si kjo mund të ndodhë.