Ndërtimi i hekurudhës që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën nuk është më thjesht një propozim, por një nismë që brenda pak vitesh do të behet realitet.
Qeveria shqiptare, përmes Drejtorisë së Hekurudhës Shqiptare ka përzgjedhur edhe bashkimin e kompanive fituese të tenderit për kryerjen e studimit të fizibilitetit dhe projekt-idesë për këtë linjë hekurudhore.
Bëhet fjalë për “ILF Consulting Engineers Austria GmbH” – ABKONS SH.P.K. të cilat kanë ofruar 168.9 milionë Lekë për të realizuar këtë projekt nga 200 milionë Lekë që ishte fondi limit i vendosur në dispozicion nga qeveria në buxhet për këtë qëllim. Kompanitë do të kenë afat 14 muaj për të bërë studimin e fizibilitetit dhe për të ndërtuar projekt-idenë e hekurudhës Durrës-Prishtinë.
Ekzistojnë dy alternativa për studimin e fizibilitetit të hartuar nga Hekurudha Shqiptare. E para parashikon në total një gjatësi prej 137 km. Nis nga stacioni i Mjedës në Shkodër deri në kufirin me Kosovën është rreth 107 km. Linja e re linja kalon në dy tunele të njëpasnjëshëm për shkak të terrenit të vështirë deri në zonën e Repsit, pranë autostradës Rrëshen-Kalimash.
Kjo linjë parashikon ndërtimin e një tuneli në zonën e Bisakut dhe të një ure në mbi liqenin e hidrocentalit të Fierëz për të arritur në Morinë. Ndërsa nga pjesa e Kosovës, linja hekurudhore parashikon të shkojë në Gjakovë. Linja Kramovik-Qafë Morinë e gjatë 30 km. Ky është projekti më i kushtueshëm nga ana financiare.
Opsioni i dytë është 125 km, kalimi i hekurudhës parashikohet Milot – Kufiri në Vërmicë – Landovicë”. Pjesa shqiptare së bashku me pjesën Milot – Rrëshen mbulon një gjatësi prej rreth 108 km. Ndërsa nga Kosova linja Klinë – Prizren deri në kufirin në Vermicë llogaritet në rreth 17 km.
Ndërsa firmës fituese i është dhe si opsion të ndërtojë një alternativë të sajën mbi këtë projekt hekurudhor. Kostoja e ndërtimit të linjës hekurudhore Durrës – Prishtinë parashikohet të kapë një vlerë prej 700 milionë Euro dhe do të financohet nga buxhetet e dy shteteve Shqipëri-Kosovë.