MENU
klinika

"Shikoni dokumentin, e kam shkarkuar!"

I kanë bllokuar pasaportën, Berisha si del inati me gjyqtaren Irena Gjoka

18.11.2023 - 13:36

Ish kryeministri Sali Berisha ka publikuar sot një dokument të marrë nga Ministria e Drejtësisë që tregon sipas tij se gjyqtaren Irena Gjoka që i ka vendosur dy masa për hetimet për dosjen “Partizani” e ka shkarkuar në vitin 1996 për korrupsion dhe shkelje të tjera.

Berisha tha se Ministria e Drejtësisë ka luajtur me mbiemrat e gjyqtares, Maneku dhe Gjoka duke e lënë evazive, por që sipas ish-kryeministrit është i njëjti person dhe që i kërkon që të japë dorëheqjen nga dosja që po shqyrton.

“Gjyqtarja (Irena Gjoka) pa dinjitet dhe pacipë që fshihet pas krimit të saj. Unë sot jam këtu përpara jush dhe i kam kërkuar që të bëjë publike nëse ka qenë e shkarkuar nga Sali Berisha. Është fshehur pas krimit që ka kryer.

Meqë ajo është fshehur unë po u jap ju këtë shkresë, që thotë se…është përgjigja që ministria e drejtësisë u jep avokatëve, që pranon që gjyqtarja Irena Maneku, ka masë disiplinore, por nuk e “dimë nëse është Gjoka, kjo Maneku apo tjetër”.

Kjo është qesharake, por kjo është gjyqtarja. Dokumente të tjera do i faktojnë që kjo Gjoka është Maneku dhe Maneku është Gjoka, i njëjti person që është shkarkuar nga Sali Berisha për shkelje të rënda ligjore dhe korrupsion” tha ai.

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi si masë sigurie detyrimin për paraqitje pranë policisë gjyqësore si dhe ndalim të udhëtimeve jashtë vendit.

Në një konferencë për shtyp, ish-kyeministri Berisha i quajti akuzat ndaj tij si të pabaza dhe të motivuara politikisht.

Ligjshmëria e privatizimit të terreneve sportive të Klubit Partizani, më herët një terren në pronësi të ministrisë së mbrojtjes, po hetohet prej disa vitesh nga SPAK, nën dyshimet për korrupion të përmasave të mëdha nga ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndrri i tij Jamarbër Malltezi dhe ish drejtues të ministrisë së mbrojtjes.