MENU
klinika

Zbardhet rruga që po ndjek SPAK

Ja çfarë do të ndodhë me Sali Berishën në dhjetor, si do të shkohet tek arrestimi i tij

18.11.2023 - 12:12

Ish-kryeministri Sali Berisha vijon t’i bëjë rezistencë drejtësisë, në lidhje me çështjen për të cilën ai është nën hetim, për privatizimin e kompleksit “Partizani”. Sipas vendimit, Berisha duhet të paraqitet në gjykatë të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në orën 10:00, por deri më tani, ish-kryeministri e ka injoruar këtë vendim dy herë. Mirëpo gazetarja Anila Hoxha, duke folur në një media dje, deklaroi se Prokuroria e Posaçme mund të presë deri në fillim të muajit dhjetor dhe më pas, është e detyruar të vendosë një masë më të rëndë për Berishën. Sipas saj, SPAK do i drejtohet Këshillit të Mandateve me një kërkesë për t’i hequr mandatin e deputetit Berishës, duke paralajmëruar kështu telashe për Berishën. “Nëse Berisha nuk paraqitet, pritet t’i caktohet një masë më e rëndë sigurie. Prokuroria e Posaçme mund të presë deri në të hënën e parë dhe të tretë të dhjetorit, teksa pas kësaj do t’i drejtohet Këshillit të Mandateve me një kërkesë për Berishën. Ish-kryeministri është i detyruar të paraqitet në orën 10 para një oficereje, teksa SPAK ka bërë shumë tentativa për këtë vendim dhe pritet që tashmë të konsiderohet i njoftuar.

Pra, SPAK do presë deri në fillim të dhjetorit dhe nëse ai sërish nuk paraqitet, nuk do tentohet më të njoftohet. SPAK i ruhet paragjykimeve dhe akuzave se është sulm politik dhe prandaj mund të presë dhe javën e parë. Nga ana tjetër, Apeli do të gjykojë po ashtu ditën e hënë ankimimin e Berishës si dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, ku do vendoset nëse do qëndrojnë masat e sigurisë, përkatësisht, detyrim paraqitjeje për Berishën dhe arrest me burg për Malltezin. Gjithsesi, Berisha ka një precedent për të mos u paraqitur në Prokurori edhe kur ka patur raste të tjera kundër tij, siç ishte ajo e fundit, ku ishte denoncuar për shpifje nga kryebashkiaku Erion Veliaj”, deklaroi Hoxha.

Reagon Berisha

Nga ana tjetër ish-kryeministri Sali Berisha ka vijuar me sulmet ndaj prokurorëve të Prokurorisë Speciale dhe gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme. Gjatë një konference para gazetarëve ditën e djeshme, Berisha ka deklaruar se Edi Rama ka urdhëruar SPAK që të injorojë procedurat e hetimit për inceneratorët, pasi sipas tij, nëse ato do të ndiqeshin, do të zbulonin Ramën dhe hajdutët e tjerë të kësaj organizate. Po ashtu, Berisha shprehet se Rama dhe Agaçi janë famëzitë të cilët përligjën pas firmosjeve të rrufeshme në 24 orë, 17 firma në 9 dokumente, në dhjetor të 2016. “E garantoj se kurrë kjo aferë nuk mund të groposet. Në groposjen e kësaj afere, ai ka urdhëruar organizatën kriminale të ‘Skap’, që të mos trajtojë procedurat, që po bën kolonën kryesore mbi të cilën po ngrihet afera e shekullit, inceneratorët.

Ka urdhëruar ‘Skapistët’ e tij të injorojnë procedurën, sepse procedura e çon direkt tek ai dhe hajdutë të tjerë të kësaj organizate. Rama u informua dy herë se kjo procedurë është antiligjore, por kjo për Ramën nuk kishte rëndësi. Ishte babëzia e tij e tmerrshme sepse e dinte që mafia e plehut, është mafia që pasurohet më shpejt dhe më shumë. Gjithçka është bërë në hetimin e organizatës kriminale ‘Skap’ që të arrestohen vetëm kurban që pranon Rama por jo ata që janë përgjegjësit më kryesorë. Ne nuk kemi kurrë ndërmend të heqim dorë”, nënvizoi ish-kryeministri Sali Berisha.