MENU
klinika

Ndryshimi i masës së sigurisë

Jamarbër Malltezi u la në arrest shtëpie, avokati Gjokutaj: Nuk ka bërë shkelje

21.11.2023 - 13:16

Apeli i GJKKO ka ndryshuar masën e sigurisë për Jamarbër Malltezin duke e lënë në masën arrest shtëpie.

Ndërkohë, Apeli ka lënë në fuqi masën detyrim paraqitjeje për Sali Berishën. Malltezi ishte në burg për çështjen “Partizani”, ndërsa akuzohet për korrupsion pasiv.

Në një deklaratë për mediat në mbyllje të seancës Genc Gjokutaj, avokati i Berishës dhe Malltezit e cilësoi vendimin një kopje të keqe të vendimit të shkallës së parë.

Gjokutaj tha se vendimin e GJKKO ndaj Berishës për masën ‘detyrim paraqitje’ dhe ‘ndalim të daljes jashtë vendit’ do ta çojë edhe në Gjykatë e Lartë.

“Berisha nuk ka rrezik që të ikë. 2 herë në javë është në parlament ndërsa prokuroria e kërkon 1 në 2 javë. Ajo masë rrjedh nga një arsyetim anti-kushtetues. Të enjten kemi seancën e rradhës për humbjen e fuqisë. Do shfrytëzojmë të gjitha mjetet ligjore, do jetë një betejë e gjatë. Do të shkojmë në gjykatën e Lartë.

Siç ju njoftuam dje, gjykata shpalli vendimin duke miratuar për pjesën e zotit Berisha dhe duke ndryshuar pjesën për Jamarbër Malltezin dhe duke caktuar masën e sigurimit, atë të arrestit në shtëpi. Sigurisht kjo çështje mbetet politike. Është një gërvishtje sepse Jamarbër Malltezi nuk ka asnjë lloj penaliteti.

Që kjo çështje është politike, e bëj me dije dhe në këtë faqe të kallëzimit. Keni kallëzimin dhe regjistrimin brenda një dite. Për çështje të tilla, është e pamundur që brenda një dite të dorëzohet kallëzimi dhe të regjistrohet. Gjykimi dje u karakterizua nga një gjuhë e drunjtë e prokurorisë dhe një heshtje e gjykatës”, tha Gjokutaj.

Vendimi për Malltezin dhe Berishën është marrë nga një trup gjykues që drejtohej nga gjyqtarja Iliriana Olldashi.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi vendosi miratimin e vendimit nr. 112, datë 20.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 117, datë 26.11.2023 të së njëjtës gjykatë ndaj ankuesit Sali Berisha.

Ndryshimin e vendimit nr. 112, datë 20.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 116, datë 23.11.2023 të së njëjtës gjykatë ndaj ankuesit Jamarbër Malltezi, si më poshtë:

Caktimin e masës së sigurimit personal me efekt shtrëngues “Arrest në shtëpi” ndaj të hetuarit Jamarbër Malltezi, duke e urdhëruar atë të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën {…} si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë në të njëjtën banesë me të. Urdhërohet lirimi nga ambientet e paraburgimit it ë hetuarit Jamarbër Malltezi në rast se nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër”, thuhet në komunikimin për media të gjykatës.

Malltezi u arrestua në Rinas më 21 tetor me urdhër të SPAK. Mbi të rëndojnë akuzat për “Korrupsion Pasiv” dhe “Pastrim Parash”, lidhur me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

Për të njëjtën çështje GJKKO ka caktuar masat e sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe për Sali Berishën dhe sipërmarrësin Fatmir Bektashi, ortak i Malltezit dhe ndërtues i kompleksit të pallateve.

Ish-kryeministrit i është ndaluar dalja jashtë shtetit dhe mbi të është ngritur akuza e korrupsionit pasiv kryer në bashkëpunim