MENU
klinika

"Emigrantët mund të qëndrojnë deri në 18 muaj paraburgim në Shqipëri"

Kampe apo burgje? Zyrtari italian jep detajet për marrëveshjen

09.11.2023 - 21:23

Marrëveshja e fshehtë e kryeministrit Edi Rama me homologen e tij italiane Giorgia Meloni për strehimin e mijëra emigrantëve ilegalë në Shqipëri, ka ngjallur debate të forta.

Marrëveshja u arrit në mungesë të plotë të transparencës nga Rama dhe Meloni, duke bërë që të ketë shumë paqartësi.

Së fundmi një zyrtar i lartë italian ka deklaruar se në kampet që do të ngrihen në Shqipëri, po shikohet mundësia që emigrantët ilegalë të vuajnë periudhën e paraburgimit përpara se të riatdhesohen.

Kjo ngre pyetje të shumta, pasi më herët është thënë që emigrantët e vetëm që do të vijnë në Shqipëri, janë ata të cilët do të kapen në det. Ndërsa kryerja e periudhës prej 18 muajsh paraburgim në Shqipëri, siç ka deklaruar nënsekretari në Kryesinë e Këshillit, Giovanbattista Fazzolari, do të thotë se bëhet fjalë për atë kategori emigrantësh që kanë kryer krime në Itali dhe presin riatdhesimin.

“Kemi vendosur që ata që nuk kanë të drejtë mund të ndalohen deri në 18 muaj në pritje të riatdhesimit, ne duam ta zbatojmë këtë “periudhë kohore” edhe në Shqipëri. Ekziston mundësia e paraburgimit deri në 18 muaj” për ligjin italian, dhe qeveria synon ta ‘eksportojë’ këtë hark kohor edhe në qendrat që do të krijohen në Shqipëri nën juridiksionin italian.

Atëherë do të shohim kur do të bëjmë ligjin për të zbatuar marrëveshjen e bërë me Edi Ramën”, u shpreh nënsekretari në Kryesinë e Këshillit, Giovanbattista Fazzolari, në episodin e emisionit “Porta a Porta” që do të transmetohet mbrëmjen e sotme.