MENU
klinika

Opozita përmbysi karriget, PS votoi në këmbë

Kaos dhe tymuese/ Ç’ndodhi në 60 minuta brenda sallës së Kuvendit

03.11.2023 - 10:40

Prej rreth 60 minuta Parlamenti u përfshi dje (2 Nëntor) në kaos, ndërkohë që deputetët e opozitës bllokuan punimet e Kuvendit.

Për të disatën herën radhazi, deputetët e opozitës shkaktuan kaos dhe rrëmujë, duke penguar punimet normale të seancës plenare. Lideri demokrat, Sali Berisha, dhe deputetët që e mbështesin atë u shfaqën në Parlament një orë para nisjes së seancës.

Ata morën karriget ku ulen deputetët socialistë pasi i grumbulluan i përmbysën para foltores. Veprimi i grumbullimit të tyre para foltores së Parlamentit u shoqërua dhe me konflikte direkte mes tyre dhe kolegëve socialistë. Kur kryeparlamentarja Lindita Nikolla nisi punimet e Kuvendit, demokratët protestuan duke iu rënë tavolinave. Për karrigen nuk munguan as përplasjet fizike, veçanërisht Xhemal Qefalia me Edmond Spahon dhe Ervin Salianjin.

Përpara pirgut me karrige, ish-kryeministri Berisha dha këtë paralajmërim: “O riktheni të drejtat kushtetuese të opozitës ose Parlament nuk ka”. Deputeti Ervin Salianji përshkallëzoi më tej situatën, duke ndezur tymuese brenda në sallë. Në këto kushte, kryeparlamentarja Nikolla kaloi direkt në votim.

Brenda pesë minutash, socialistët e ngritur në këmbë miratuan të gjitha pikat e rendit të ditës. Më pas seanca parlamentare u mbyll. Opozita ka paralajmëruar se situata do të vijojë njësoj edhe në ditët në vazhdim, të paktën derisa mazhoranca të pranojë ngritjen e komisioneve hetimore. Qëndrimi i opozitës ishte paralajmëruar prej saj, ndërsa drejtuesit demokratë ishin shprehur haptas se, “nuk do të ketë zhvillim normal të punimeve të parlamentit, përsa kohë nuk do të respektohen të drejtat e opozitës”.

Deputetët demokratë akuzojnë socialistët se po u refuzohet e drejta e tyre kushtetuese për ngritjen e komisioneve hetimore, apo se dhe për cakton përfaqësuesit e opozitës në Komisionin e Reformës zgjedhore. Pavarësisht përpjekjeve të opozitës për të bllokuar punimet, socialistët zgjodhën të qëndrojnë në këmbë, ndërkohë që kryetarja e parlamentit vijoi procedura të përshpejtuara për miratimin e çështjeve në rend të ditës.

Nga foltorja e Parlamentit, deputeti demokrat Ervin Salianji, ndezi njëri pas tjetrës disa tymuese. Punonjësit e Gardës u përpoqën disa herë për t’ia marrë ato nga dora duke i nxjerrë jashtë sallës. Përballë tij, në krahun e majtë, socialistët ngrinin kartonët për miratimin e akteve dhe ligjeve të ndryshme, pa asnjë debat, apo diskutim. E gjithë seanca zgjati pak më shumë se 25 minuta. Nën tymin blu të hedhur nga deputeti demokrat, Ervin Salianji dhe nën kaosin e krijuar në Parlament, deputetët socialistë kanë miratuar të gjithë projektligjet e rendit të ditës në seancë plenare.

Thirrjet “turp, turp” nga ana e opozitës nuk e kanë penguar mazhorancën që të votojë projektligjet. Ish kryeministri Sali Berisha tha pas mbylljes së seancës se ajo që ndodhi sot ishte një “reagim me forma të mosbindjes civile dhe një protestë nga deputetët e opozitës me kërkesën e prerë të rikthimit të të drejtave të tyre kushtetuese. Jemi opozita e të drejtave të mohuara, si kurrë ndonjëherë në 32 vite”, – u shpreh ai.

Tymueset e hedhura gjatë seancës plenare të ditës së djeshme bën që efektivë të Policisë të Tiranës dhe hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit të futen brenda Parlamentit. Drejtori i policisë së Tiranë, Tonin Vocaj, mbërriti në Kuvend, pas situatës kaotikë dhe tensioneve që u krijuan për bllokimin e seancës plenare.

Përplasjet fizike mes Qefalisë-Spahos, tek përmbysja e karrigeve dhe ndezja e flakadanëve nga ana e Ervin Salinanjit, shoqëruan seancën e sotme, e cila u mbyll shumë shpejt ndërsa deputetët socialistë votuan në hë, që në fillim të seancës janë parë pranë Kuvendit forca të shtuara policie. Ndërsa Garda ka qenë gjithë kohën në gatishmëri. Mësohet se Policia e Tiranës pritet të nisë procedurat për verifikimin në lidhje me incidentet e shkaktuara brenda sallës plenare të Kuvendit nga deputetët e opozitës.

Pritet që verifikim do të ketë për hedhjen e tymueseve dhe aktet e dhunës në sallë. Ende nuk janë përcaktuar akuzat konkrete që do të ngrihen, apo emrat e deputetëve që do të jenë në verifikim.

Dy ditë më parë deputetë të opozitës u përpoqën të bllokojnë Konferencën e Kryetarëve në të cilën ministri Financave do të paraqiste projektbuxhetin për vitin 2024. E pamundur u bë më vonë dhe mbledhja e Komisionit të Ekonomisë, e cila u zhvillua ‘online’. Opozita ka paralajmëruar se situata do të vijojë njësoj edhe në ditët në vazhdim, të paktën derisa mazhoranca të pranojë ngritjen e komisioneve hetimor.