MENU
klinika

Deri në 10-15 euro

Konkurrenca ul ndjeshëm biletat e avionëve, por…

13.11.2023 - 13:27

Shtimi i konkurrencës mes operatorëve low cost në vend ka ulur sërish ndjeshëm biletat e fluturimeve nga dhe drejt Rinasit, pas rritjes që ato shënuan në muajt e parë të vitit.

Me hyrjen e irlandezëve të Ryanair nga fundi i tetorit, konkurrenca është shtuar teksa tashmë janë dy operatorë me kosto të ulëta, përfshirë hungarezët e Wizz Air, që operon prej disa vitesh në tregun vendas.

Nëse kërkon të blesh një biletë për një udhëtim pas tre apo katër javësh mund të gjesh në destinacione dhe orare të caktuara bileta që fillojnë nga 10 deri në 15 euro për një drejtim, ose 30-50 euro për bileta vajtje-ardhje nga të dy këto operatorë.

Biletat janë shumë më të lira se në pjesën e parë të viti, ku ato u rritën ndjeshëm dhe mesatarisht kushtonin mbi 100 euro, teksa Wizz Air, që hyri fillimisht me çmime të lira i shtrenjtoi ato, pasi mori mbi 60% të tregut të fluturimeve. Por, shtimi i konkurrencës, pas lajmit se do të hynte Ryanai “detyroi” Wizz që të ulte sërish çmimet në gjysmën e dytë të vitit.

Italia më e lira, ulet dhe Anglia
Një udhëtim vajtje ardhje për datat 2-5 dhjetor në Milano, kushton rreth 50 euro me Wiiz Air. Me Ryanair për të njëjtat data Milano është e arritshme me 36 euro. Milano është destinacioni që ka më shumë fluturime ditore, 5 herë në ditë me Wizz dhe dy herë në ditë me Ryanair.

Për në Romë, në të njëjtat data vajtja për në Romë me Wizz Air kushton 10 euro dhe kthimi 18 euro, për një total prej 28 eurosh (kjo është alternativa më e lirë). Me Ryanair për të njëjtat data, bileta kushton 30 euro.

E arritshme me bileta të lira është dhe Anglia. Edhe në Londër, për të njëjtat data, bileta kushton 30 euro vajtje ardhje me Wizz dhe po kaq kushton dhe me Ryanair. Ky i fundit ka dhe dy destinacione të tjera drejt Mbretërisë së Bashkuar, Edinburg dhe Mançester. Me Edinburgun, për të njëjtat data, bileta vajtje-ardhje është 37 euro,

Drejt Gjermanisë është pak më shtrenjtë, teksa dhe numri i fluturimeve është më i ulët, përgjithësisht 3 herë në javë, Për datën 4 dhjetor drejt Berlinit bileta kushton nga 45 euro dhe kthimi me datë 8 dhjetor 50 euro, në total 95 euro. Në Frankfurt në datat 2 dhe 5, bileta vajtje ardhje po me Wizz kushton 70 euro.

Krahas destinacioneve tradicionale është shtuar ndjeshëm dhe gjeografia e fluturimeve si në Pragë, qytetet e Polonisë (nxitur dhe nga flukset turistike nga ky shtet), Norvegji, Suedi, Holandë, Spanjë, Rumani (Bukuresht), etj. Për në Bukuresh, psh, në datat 5 dhe 7 dhjetor, bileta kushton 30 euro vajtje-ardhje me Ryanair.

Mos i lini biletat për ditën e fundit se do i paguani shtrenjtë (deri në 300 euro)

Nga një kërkim në faqet e internetit të dy operatorëve low cost rezulton se koha më e mirë për të prerë një biletë është 3-4 javë përpara se të udhëtoni.

Nëse e lini biletën për ditën e fundit, apo ju del ndonjë urgjencë e do ju duhet të udhëtoni papritur, çmimet janë të shtrenjta.

Psh, nëse do të blini një biletë për Milano në datën 18 nëntor vajtja ga Rinasi kushton të paktën 55 euro dhe kthimi në 20 nëntor rreth 28 euro, me Wizz Air. Me Ryanair për të njëjtat data vajtja fillon nga 37 euro dhe kthimi 20 euro.

Nëse e pret biletën dy ditë para, çmimet fillojnë nga më shumë se 100 euro në një drejtim deri në 300 euro për të dy operatorët.

Lirë edhe për festa
Me afrimin e fundit të vitit, biletat shtrenjtohen për shkak të kërkesës së lartë që ka për të udhëtuar për festa. Por, këtë vit, vajtja në Milano në datat 24 dhe 25 dhjetor me Wizz luhatet me 10-15 euro. Nga Milano në Tiranë biletat kushtojnë 30-50 euro. Bileta të ngjashme ka dhe Ryanair.

Biletat fillojnë e shtrenjtohen në ditët e para të janarit, në 70-150 euro drejt Italisë (periudha kur kthehen emigrantët në shtëpi), ndërsa nga Milano drejt Rinasit vijojnë biletat e lira.

5.4 milionë pasagjerë kanë fluturuar në 9 janar-shtator 2023

Çmimet e lira kanë shtuar ndjeshëm fluksin e udhëtimeve me avion. Sipas të dhënave të INSTAT, për 9 mujorin kanë fluturuar në dhe nga Rinasi rreth 5.4 milionë pasagjerë, me një rritje prej 36% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Biletat e lira të avionëve kanë qenë një nga arsyet kryesore që kanë nxitur turizmin, që këtë vit arriti nivelin më të lartë historik.

Wizz Air ka 62% të tregut
Operatori me kosto të ulët Wizz Air kishte 62% të tregut sipas numrit të pasagjerëve në shtator 2023, sipas të dhënave nga Tirana International Airport. Wizz ka marrë vazhdimisht treg nga operatorët e tjera si Air Albania dhe Alba Wings, që kishin përkatësisht 7.8% dhe 6.1% të tregut në fund të shtatorit.

Hyrja e Ryanair nga fillimi i nëntorit të këtij viti pritet që të riformatojë sërish tregun, duke ushtruar më shumë presion mbi operatorët që kanë humbur vazhdimisht terren dy vitet e fundit. Psh në shtator të vitit 2021, Wizz kishte 37% të tregut, Air Albania rreth 14% dhe Albawings rreth 8%. MONITOR