“Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e kryera në Kosovë.”
Me këtë deklaratë, kryeministri Albin Kurti, njoftoi krijimin e institutit që do të adresojë dhe dokumentojë krimet e Serbisë në luftën e viteve 1998-1999. Në drejtim të tij është emëruar Atdhe Hetemi.
“Kemi ngritur Drejtorinë e Hetimit të Krimeve të Luftës dhe kemi dyfishuar numrin e hetuesve të krimeve të luftës. Kriminelët e luftës duhet nxjerrë para drejtësisë”, tha Kurti.
Krerët e shtetit të Kosovës po i çojnë një hap më tej akuzat e tyre duke bërë gati një padi për gjenocid kundër Serbisë.
“Është duke punuar kryeministri Kurti, presidentja Osmani dhe kryetari i Kuvendit të cilët janë të angazhuar në këtë drejtim”, u shpreh Albulena Haxhiu, Ministre E Drejtësisë.
Ministrja e drejtësisë foli edhe për një çështje tjetër me rëndësi për Kosovën, draft-statutin europian dhe amerikan për formimin e asociacionit. Haxhiu konfirmoi se Kurti e ka njoftuar partinë e tij Vetëvendosje në vija të trasha për propozimin në fjalë dhe qëndrimi i qeverisë për të është ky:
“S’ka asnjë autonomi. S’do të ketë autonomi në Republikën e Kosovës. Kosova është shtet i pavarur dhe nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë që të ketë një shtet tjetër brenda shtetit tonë”, shtoi ajo.
Bashkë me të në konferencë, i pranishëm ishte edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili foli për procedurën për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës.
“Deri në këtë moment ne nuk kemi pranuar asnjë informacion se ndonjë grup i qytetarëve është organizuar apo ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve nga zyrat”, bëri me dije Elbert Krasniqi, Ministër Për Administrimin e Pushtetit Lokal.
Organizimi i zgjedhjeve në veri, me pjesëmarrjen e serbëve, konsiderohet një nga kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian për heqjen e masave të vendosura ndaj Kosovës.