MENU
klinika

"Mos na e ngacmo më Kosovën!"

Kreu i Këshillit të Diasporës në SHBA mesazh Vuçiç

23.11.2023 - 13:45

Kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës në SHBA, Mark Gjonaj ka qenë sot i pranishëm në samitin e tretë të Diasporës që po mbahet në Tiranë.

Gjonaj ka sjellë në vëmendje zhvillimet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, duke i bërë thirrje presidentit Vuçiç që t’i lërë qytetarët e Kosovës të jetojnë siç e meritojnë.

“Është një proverb që thotë “nëse doni me shku shpejt, shko vetëm, nëse doni me shku larg, shkoni së bashku”. Krejt historia shkruan për këtë ditë që liderët janë bashkuar. Ju kërkoj që kokat tuaja t’i bashkoni që t’i bashkojmë edhe tokat edhe popujt. Kemi dy shembuj se çfarë ndodh kur bashkohet shqiptari, u bë Kosova shtet i pavarur. Sa po flas për Kosovën, po ia çoj Serbisë një mesazh edhe Vuçiçit, “Mos na e ngacmo Kosovën dhe kosovarët më! Le të jetojnë atë jetën që e meritojnë” Rasti i dytë, kur bashkohen Shqiptarët, ishte ekipi kombëtar i futbollit, që ka shqiptarë, kosovarë e nga Maqedonia e Veriut, e ‘zot shnosh’ kanë me e pru champions në shtëpinë tonë.”, tha Gjonaj.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në samitin e III të Diasporës që mblodhi sot në Tiranë liderë të Ballkanit, risolli në vëmendje kualifikimin e Shqipërisë për në Europian.

Kreu i qeverisë u shpreh se “njëshat e Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë e çuan futbollin në Europë”, teksa theksoi se ata na treguan se ç’mund të bëjmë kur bashkojmë talentet dhe forcat.

”Ky samit ndodh pak ditë pasi njishat e Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, së bashku në një skuadër jo vetëm e çuan Shqipërinë në Evropë, por dhe na ritreguan se çfarë mund të bëjmë ku bashkojmë talentet, forcat dhe mbi të gjitha kemi një strategji, për të fituar.’, tha ai.