MENU
klinika

Detaje nga takimi

Kurti takohet me ambasadorin e ri të Shqipërisë: Marrëdhëniet dypalëshe kanë sjellë nënshkrimin e 184 marrëveshjeve

15.11.2023 - 22:24

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim ambasadorin e ri të Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

Kurti e përgëzoi ambasadorin Malaj për detyrën e re duke vlerësuar marrëdhëniet vëllazërore mes dy shteteve dhe duke theksuar rëndësinë e thellimit dhe avancimit të bashkëpunimit.

Kurti dhe Malaj biseduan për rajonin e Ballkanit Perëndimor “ku bashkëpunimi midis shteteve duhet të jetë i bazuar në demokraci e siguri, në orientimin dhe vlerat e NATO-s dhe BE-së”.

Kryeministri i Kosovës veçoi marrëveshjet mes Kosovës dhe Shqipërisë, zbatimi i të cilave siç theksoi ai “forcon marrëdhëniet dhe i sjellë qytetarët më pranë njëri-tjetrit”, teksa shtoi se ato kanë ndikim të drejtpërdrejtë e pozitiv në jetën e qytetarëve, bizneseve dhe më gjerë.

“Marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, kanë sjellë nënshkrimin e gjithsej 184 marrëveshjeve, protokolleve e memorandumeve”, theksoi Kurti.

Ambasadori Malaj shprehu përkushtimin e tij për të çuar më tej marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri duke u shprehur i lumtur që do të shërbejë në Kosovë.

Petrit Malaj u emërua si ambasador i ri i Shqipërisë në Kosovë nga presidenti shqiptar Bajram Begaj, gjatë muajit shtator të këtij viti. Malaj i cili e zëvendësoi ish-ambasadorin Qemajl Minxhozi, u prit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fillim të nëntorit, kur edhe u bë pranimi i letrave kredenciale të ambasadorit nga ana e presidentes Osmani.