Gjeneral Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë së Tel Avivit, ishte i pari që doli me fytyrë publikisht për të folur për konfliktin dhe që atëherë është ai njeriu, nga i cili izraelitët presin çdo ditë për informacione mbi luftën. Në atë 7 tetor të tmerrshëm, atij iu desh të fliste me një vend të tronditur dhe të frikësuar, të pranonte se terroristët e Hamasit kishin sulmuar fshatrat dhe qytetet përreth Gazës, se kishte shumë të vdekur. Më shumë se një muaj pas masakrave, është ende Hagari ai që drejton konferencën për shtyp, qoftë edhe dy herë në ditë, për t’iu përgjigjur pyetjeve, jo vetëm të gazetarëve, por edhe të qytetarëve, madje edhe të familjeve të të rrëmbyerve, gjithnjë e më të dëshpëruara dhe të zemëruara për mungesën e dialogut me përfaqësuesit e qeverisë. Nuk është çudi që ai përflitet si “pasardhës” i kryeministrit Benjamin Netanjahu, ndonëse duket se ka konkurrencë. Kudo përflitet edhe emri i një ish-spiuni. Megjithatë, ka pak gjasa që Netanjahu të jetë i kënaqur me këtë, apo që ta lëshojë aq lehtë karrigen.
Zëdhënësi i ushtrisë
Mënyra e tij e qetë dhe në të njëjtën kohë vendimtare e të vepruarit, shpjegon Rossella Tercatin, korrespondentja e “La Repubblica” në Jerusalem, ka arritur të fitojë besimin e një kombi të traumatizuar, aq sa një sondazh i fundit e kurorëzoi atë personazhin publik në të cilin izraelitët kanë më shumë besim, me një hendek prej shtatëdhjetë pikësh nga kryeministri Benjamin Netanyahu. Në fakt, sipas studimit të Universitetit Bar Ilan, më pak se katër përqind e hebrenjve izraelitë besojnë se kryeministri është burimi më i besueshëm i informacionit mbi konfliktin, ndërsa pothuajse 74 përqind i besojnë Hagarit. Një konsensus që na bën të anojmë drejt hipotezës së largët se ai është pasardhësi i Netanyahut. 47 vjeç, në ushtri që nga viti 1995, Hagari u rrit në Tel Aviv. Me një diplomë në filozofi dhe një diplomë master në shkencat diplomatike dhe të mbrojtjes nga Universiteti i Tel Avivit, Hagari është i martuar me 4 fëmijë, më i vogli vetëm 1 vjeç. Javët e fundit, Hagari është takuar me gazetarë dy herë në ditë për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre rreth luftës. Këtë javë ai hyri personalisht në Gaza për të treguar prova sesi Hamasi ka përdorur Spitalin e Fëmijëve Al Rantisi jo vetëm si bazë, por edhe për të mbajtur pengje. “Lufta jonë është kundër Hamasit, jo kundër popullit të Gazës, dhe veçanërisht jo të sëmurëve, grave apo fëmijëve”, tha ai.
Ish-spiuni izraelit
Sakaq, emri tjetër i përfolur është një ish-spiun izraelit, dhe aludimet kanë lindur pas një sondazhi të fundit të kryer nga Instituti i Kërkimeve Lazar i shtetit hebre. Publiku izraelit e sheh ish-shefin e Mossad-it, Yossi Cohen, si pasuesin e Netanyahut, tha instituti në raportin e tij të publikuar pas sondazhit të kryer në Izrael. Në një sondazh të kryer me 500 hebrenj dhe arabë izraelitë, “21% e pjesëmarrësve preferojnë që ish-shefi i Mossad, Cohen të pasojë Netanyahun si liderin e Partisë Likud dhe udhëheqësin e koalicionit qeverisës”. “13% e të anketuarve e shohin ish-ministrin e Drejtësisë Gideon Sa’ar si pasardhësin e duhur të Netanyahut. Ndërsa 12% zgjodhën ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant si një kandidat më të mirë për të pasuar kryeministrin Netanyahu”, tha instituti. Ai shtoi se “11% e shohin Ministrin e Ekonomisë Nir Barkat si një pasardhës të mundshëm për udhëheqjen e Likud”. Sipas rezultateve të sondazhit të bërë për votuesit e Likud, Cohen dhe Barkat janë cilësuar të përshtatshëm për lidershipin e partisë me 26%, Gallant me 17%, dhe Sa’ar me 5%. Ndërsa 15% e pjesëmarrësve në sondazh nuk preferuan asnjë nga emrat e përmendur, 11% abstenuan.K
Sipas një sondazhi tjetër të publikuar nga gazeta Maariv, vetëm 29% e izraelitëve besojnë se Netanyahu është i përshtatshëm për të udhëhequr qeverinë. Nga ana tjetër, 50% e konsiderojnë të përshtatshëm për këtë pozicion ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes Benny Gantz.Rezultatet e sondazhit tregojnë se mbështetja për Likud në publikun izraelit është ulur, ndërsa mbështetja për bllokun opozitar të Unitetit Kombëtar të udhëhequr nga Gantz është rritur.