MENU
klinika

Nga Ilir Yzeiri

Lajme shkurt nga vendi

26.11.2023 - 14:09

Mënyra se si mediat përzgjedhin lajmin, e përpunojnë atë, pra e kthejnë në fjalë dhe imazhe, mund të vështrohet në shumë anë. Por ajo që vëmë re të gjithë është se lajmi apo informacioni që na jep media, në shumë raste, i bindet një hierarkie apo një renditjeje që përcaktohet nga ligji i të fortit. Në këtë pikë shoqëritë njerëzore, në përgjithësi, respektojnë instinktet e tyre të lashta të tufës dhe të grupit. Ngjarja që tërheq vëmendjen më shumë është lufta, pra asgjësimi i njëri-tjetrit në një ndeshje, ç’ka të kujton luftën për territore dhe për gjahun që përcaktonte ekzistencën e të parëve tanë, e më pas të gjitha llojet e tjera të ndeshjes dhe asgjësimit që njerëzit kanë aplikuar në rrymë të historisë e deri sot. Kjo formë primitive e ndeshjes apo e luftës, apo më tej e asgjësimit është bartur në ditët tona në atë që ne e quajmë ndeshje politike dhe si reminishencë e saj, edhe te ne, vëmendjen më të madhe e merr pikërisht kjo ngjarje.

Mirëpo, në vende të vogla, të pazhvilluara dhe me një klasë politike të prapambetur, me insitutucione të dobëta, siç jemi ne, lufta politike disa herë merr forma karikaturore dhe aktorët e këtij spektakli kthehen nga luftëtarë në gaztorë. Kujtoni me këtë rast propozimin e « federatës » nga partitë e vogla shqiptare apo « trimërinë » e Tritan Shehut kur u hakërrehej atyre gazetarëve që ai mendonte se e kishin dekonspiruar, për të mbërritur deri te monologjet halucinante të Sali Berishës. Pra, megjithëse të gjithë jemi të bindur se nuk kemi ndeshje të vërtetë politike, por kemi karikaturën e saj, mediat nga mëngjesi në darkë japin si lajm të parë këtë lloj gjuetie, këtë lloj ndeshjeje, këtë lloj lufte. I përfshirë në vorbullën e asgjësë, të vanitetit dhe të varfërisë shpirtërore media e sotme shqiptare ngjan si ata sejmenët gjynahqarë që rrinë pranë dallkaukëve të betejave imagjinare të luftës politike që nxitojnë me vrap në fshatin e madh mediatik që të tregojnë « trimërinë » e fundit të Tritan Shehut apo çmendurinë e radhës të Berishës.

Mjafton ndoshta vetëm kjo për të parë diferencën e madhe që kemi në mënyrën si informohemi, se çfarë zgjedhim dhe cili është interesi ynë parësor në këtë jetë, me pjesën e qytetëruar të botës. Për lajmet e tjera ne përdorim atë klishenë e njohur « Lajme shkurt nga vendi ». Në një vend nromal lajmi se një vend perëndimor, në këtë rast Gjermania ka kthyer mbrapsht 20 tonë kastraveca për shkak se kanë në përbërejn e tyre pesiticide mbi normën e lejuar, madje kanë përdorur pesticidin « oksamil » i cili qysh para tre vjetësh është hequr nga përdorimi në vendet e BE-së, duhet të ishte një alarm për ne të gjithë për disa arsye. Por e bukura nuk mbaron këtu. Ky pesticid shitet lirisht në farmacitë bujqësore. Fshatarët e pyetur me këtë rast tregojnë se ky pesticid gjendet dhe qarkullon në të gjitha farmacitë e vendit. Në vendin tonë, thuhet më tej në këto njoftime, nuk ka laboratore për të përcaktuar përbërjen dhe përmbajtjen e pesticideve ndaj edhe certefikata « fitosanitare » është pa asnjë vlerë.

Komedia nuk mbaron këtu sepse AKU (Autoriteti Kombëtar i Ushqimit) me të drejtë bën kontrolle dhe madje do të vijojë të bëjë të tilla dhe ai nuk pyet pse ky pesticid i ndaluar shitet lirisht. Mirëpo kjo është një komedi banale sepse autoritetet shqiptare të bujqësisë Ministria në këtë rast, që e kanë për detyrë të informojnë fshatarët dhe sistemin e farmacive bujqësore, po ashtu, që të përpilojnë listat e pesticideve të lejuara dhe atyre të palejuara, kjo strukturë jo vetëm që nuk e bën këtë, por ashtu siç e tregojnë historinë fshatarët ne jemi në gjendje katastrofike. Askush nuk pyet dhe nuk oreinton në këtë vend se si duhet t’i ushqejmë bimët përpara se t’i konsumojmë. Është e paimagjinueshme se si një vend kaq i vogël për një problem kaq të madh dhe jetik që është ushqimi ynë nuk arrin ta menaxhojë e ta kontrollojë atë.

Tragjedia e këtij lajmi është kjo tjetra : e merrni dot me mend se çfarë konsumojmë ne, se çfarë pesticidesh mund të përdorin fshatarët për porduktet bujqësore që ne konsumojmë çdo ditë ? Ata nuk e dinë se çfarë është e lejuar dhe e ndaluar për ato produkte që do të kontrollohen, pra që janë për eksport. Ndërsa për ato që do të na i shesin ne, e merrni me mend se çfarë pesticidesh vrastare përdorin ? Pse sepse nuk i kontrollon askush. Si ka mundësi që Ministria e Bujqësisë dhe strukturat e saj në qeverisjen vendore nuk kontrollojnë dot ushqimin e bimëve dhe frutave, pra pesticidet dhe helemet e tjera ?

Mirëpo, siç e thashë që në fillim, për fat të keq, shqiptarët janë edukuar që të reagojnë vetëm ndaj informacioneve të luftës dhe të fitores që nga koha kur dëgjonin radiot me vajguri dhe nuk ju intereson jeta e tyre. Edhe sot ata mund të vriten virtualisht në betejat mes komunistëve dhe demokratëve, por askush nuk shqetësohet për cilësinë e jetës së vet private. Duke qenë kështu, për ne do të ketë më shumë vlerë monologu i një të çarturi si Berisha apo lajmi për federatën e opozitës, apo hakërrimi i Tritanit për çimkat dhe jo kastraveci ose preshi. Ato edhe nëse do t’i përmendim ndonjëherë do t’i sjellim në vëmendje vetëm për të na kujtuar fragmente nga lufta politike me presh.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Ilir Yzeiri

Shteti dhe Anti-Shteti


Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin