MENU
klinika

Lukashenko: Vuçiç të mos e 'tundë bishtin'

Letrat e NATO-s: BIA serbe, degë e shërbimit sekret rus

22.11.2023 - 10:57

Të pathënat e takimit Vuçiç -Stoltenberg

Në kulmin e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare në Serbi, kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg i ka bërë të ditur presidentit serb Aleksandër Vuçiç, se Perëndimi është në dijeni të plotë të të gjithë aktivitetit të shërbimit sekret serb BIA, jo vetëm në ngjarjen tragjike të Banjskës në Kosovë.

Këtë e bëjnë të ditur edhe mediat serbe që nuk janë të kontaminuara nga propaganda e regjimit të Aleksandër Vuçiç. ‘Danas’, nje gazetë e moderuar thekson se gjatë takimit ndërmjet kreut të Aleancës Veriatlantike e Presidentit Serb është folur me hollësi për çështjen e njeriut që SHBA ka shpallur Non Grata e që është Aleaksandër Vulin.
Vulin, njeriu shumë i afërt i Vuçiçit, që kur partia e tij erdhi në pushtet në vitin 2013, ka mbajtur postet e ministrit të Mbrotjes, atij të Brendshëm e së fundi ishte kreu i BIA-s serbe. Në të gjitha rolet, ai ka drejtuar një marrëdhënie të ngushtë me spiunazhin rus, përkatësisht me FSB-në por edhe me Nikolai Petrushev, që është sot njeriu kryesor i Kremlinit dhe drejtues i shërbimeve sekrete ruse.
Shërbimi sekret britanik, CIA amerikane dhe BND-ja gjermane kanë depozituar në NATO një libër të tërë të veprimtarisë ruse në Serbi, ku aktiviteti nga Nishi është zhvendosur në kufi me Kosovën.
Madje është zbuluar tashmë me prova të qarta se njerëzit që kanë trajnuar grupin e Radojçiçit janë instruktorët që kanë punuar në të ashtuquajturën Bazë Humanitare të Nishit, e që janë oficerë të trupave Wagner.
Pikërisht dalja e këtyre provave, ka shkaktuar reaksione të forta, të cilat kanë sjellë edhe një kërcënim serioz për Aleksandër Vuçiçin.
Njeriu besnik i Vladimir Putinit, presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Llukashenko, ka lëshuar një paralajmërim ndaj homologut të serbisë me fjalët: “mos e tund bishtin”.
Siç bën të ditur gazeta e Podgoricës ‘Antenam’, e cila i referohet agjencisë ruse RIA Novosti, Llukashenko lëshoi një ultimatum ndaj Beogradit.
Lukashenko emëroi sot ambasadorë të rinj në Kinë, Zimbabve, Afrikën e Jugut, Serbi dhe Indonezi, si dhe konsullin e përgjithshëm në Mumbai dhe zhvilloi një takim me ta.
Ambasador i Bjellorusisë në Republikën e Serbisë dhe në të njëjtën kohë në Republikën e Maqedonisë së Veriut është emëruar Sergej Malinovskij, i cili më parë ka qenë shef i Departamentit kryesor për informim dhe çështje analitike në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Në këtë takim, Llukashenko deklaroi: “Duhet të kuptohet politika që Serbia dëshiron të ndjekë në raport me Bjellorusinë. Nëse ata duan, atëherë duhet të ketë rezultate në marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike. Nëse duan të ‘tundin bishtin’ dhe të mbështesin sanksionet evropiane dhe amerikane kundër Bjellorusisë, kjo është puna e tyre, le të përcaktojnë dhe mbështesin nëse kanë harruar të mirat që u kemi bërë”, tha Lukashenko.
E kjo deklaratë është postuar menjëherë në kanalin telegram Prvi, i cili është pranë shërbimit për shtyp të presidentit.
Ndërkaq, siç bën të ditur ‘Danas’ e Beogradit, ajo që doli në publik ndërmjet Vuçiç dhe Stoltenbergut ka qenë më shumë një show me marrëveshje. Ku kreu i NATO-s bëri publike mesazhin kryesor të Perëndimit ndaj Serbisë, ndërsa Aleksandër Vuçiç, mbajti një qëndrim prej ‘të forti’ gjoja po mbron sovranitetin.
E thelbi këtu ishte në atë që NATO ka kërkuar, ushtria serbe të pakësojë bazat e saj rreth Kosovës, në mënyrë që atje të mos përgatitet asnjë veprimtari ushtarake kundër një vendi që ruhet nga trupat e Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Siç bëhet e ditur shefi i NATO-s i ka bërë të qartë presidentit serb se sipas Marrëveshjes së Kumanovës, nuk duhet të ketë asnjë aktivitet ushtarak qoftë strategjik, qoftë taktik kundrejt Kosovës. Serbia ka 38 baza ushtarake në të gjithë gjatësinë e kufirit të saj me Republikën e Kosovës. Të gjitha kanë qenë kazerma të ish-ushtrisë Jugosllave, të ngitura për të mbrojtur territorin e Serbisë në një konflikt të mundshëm me Shqipërinë dhe shqiptarët e Kosovës. Pas rrëzimit të Jugosllavisë, Serbia i ktheu këto baza në njësi dhe depo armatimi për trupat ndëshkimore në bazë të planit famëkeq “Patkoi” për spastrimin etnik në Kosovë. Me çlirimin e Kosovës, këta u kthyen në njësi ushtarake të kontigjenteve elitë të ndërhyrjes së shpejtë. Të cilat nuk funksionojnë si patrullues e ruajtës të kufirit. Pjesa e më madhe e tyre janë njësi të xhandërmarisë, trupave desantuese, ndërkaq disa të tjera janë bateri artilerie me rreze të mesme dhe të gjatë, kurse gati gjysma janë depo të stërmëdha armatimi dhe trajnimi për trupat “vullnetare” të serbëve të Kosovës.
Mësohet se NATO i ka kërkuar urgjentisht Serbisë që të ndërpresë përfundimisht planin e krijimit të njësive paramilitare, ndërkohë që i ka bërë të ditur se nuk ka asnjë problem për aleancën nëse ushtria e rregullt e Serbisë, rritet, stërvitet, forcohet apo mobilizohet.
Stoltenberg i ka deklaruar Vuçiç se NATO nuk ka fare problem çdo rritje kapacitetesh pasi: KFOR-I do të vijojë të garantojë një mjedis paqësor dhe ne nuk do të lejojmë që dikush ta prishë këtë”.
Ndërkaq, i ka kërkuar Vuçiç që të gjithë personat që kanë sulmuar KFOR-in në veriun e Kosovës e që fshihen në Serbi të dalin para drejtësisë.
“E mirëpresim faktin që Serbia është e gatshme të bashkëpunojë në këtë. Pas incidentit të shtatorit kemi shtuar praninë tonë dhe kjo tregon se jemi gati të ruajmë paqen. Unë pres që të dyja palët të përmbahen nga përshkallëzimi i procedurave. I thashë presidentit Vuçiç se grumbullimi i ushtrisë serbe pranë vijës administrative nuk do të ndihmonte”, tha Stoltenberg.