Sot u përurua Qendra “Fuqizojmë Komunitetin” në Durrës.
Në përurimin e kësaj qendre morën pjesë Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, Ndihmës Administratoren e USAID-it Amb. Erin McKee, Drejtoresha e USAID-it njëherësh zv. Ambasadore në detyrë e SHBA-ve në Shqipëri, Mischere Kawas, Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako dhe Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD/Shqipëri, Monica Merino Dominguez.
Ministrja Koçiu në fjalën e saj theksoi se kjo Qendër vjen sot pas hartimit të planeve sociale në të 61 bashkitë e vendit, çka solli dhe një identifikim më të mirë të shërbimeve sociale të nevojave për shërbime të integruara, si dhe të një planifikim më real për shërbimet komunitare.
“Ky është një udhërrëfyes që ne po e ndjekim hap pas hapi për ta shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet aplikimit të Fondit Social, një instrument i ri i cili mbështet financiarisht nivelin vendor, është mundësuar gjatë kësaj periudhe ngritja e modeleve të reja të shërbimeve në bashki zgjerimi i hartës së shërbimeve me 54 shërbime të reja, si dhe fuqizimi i shërbimeve ekzistuese të cilat ofrohen nga organizatat e shoqërisë civile, shoqëruar me rishikimin e duhur të standardeve të ofruara, në një linjë me standardet e BE-së”, – u shpreh ministrja.
Koçiu theksoi se në buxhetin e vitit 2024 janë rreth 30 miliardë lekë që shkojnë direkt për programet që mbështesin qytetarët që janë me ndihmë ekonomike, personat me aftësi ndryshe, viktimat e dhunës në familje si dhe fëmijët e familjeve në nevojë.
Në kuadër të reformës së de-institucionalizimit, prioritet janë programet e fuqizimit ekonomik dhe social të familjeve dhe të fëmijëve dhe këto programe po pilotohen aktualisht në dy bashki të vendit, në Korçë dhe në Vlorë, ku kanë përfituar 112 familje, për të parandaluar vendosjen e fëmijëve në qendra rezidenciale.
Forcimi i mekanizmave institucionalë si Mekanizmi i Koordinuar i Referimit të rasteve të dhunës (MKR) apo Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijës (NjMF) përmes qendrave si Qendra Fuqizojmë Komunitetin do të jenë një qasje e duhur që MSHMS do të sjellë në vëmendje të organeve të vetëqeverisjes vendore, për të parandaluar dhe menaxhuar rastet për të cilat këto mekanizma janë ngritur.
Ministrja Koçiu shtoi se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të vijojë të mbështesë dhe do të vijojë të jetë bashkë me aktorët e shoqërisë civile, me partnerët për të ndihmuar në ndërtimin e një mjedisi të shëndetshëm dhe të fortë për komunitetet tona.
Sot në Shqipëri janë aktive 391 qendra të cilat ofrojnë shërbime të përkujdesit shoqëror dhe të cilat sigurojnë afro 1,147 shërbime të përkujdesit shoqëror me një numër përafërsisht përfituesish 36,642 përfitues të cilët marrin shërbime të nevojshme pranë këtyre qendrave.
Gjatë aktivitetit, ministrja Koçiu dhe Ambasadorja e SHBA-ve në detyrë McKee, së bashku me fëmijët dhe pjesëmarrësit e tjerë, u njohën me programet e ndryshme që ofrohen në këtë qendër, si dhe shërbimet e mbështetjes psiko-sociale, terapia e të folurit dhe fizioterapia.
Zbatuar nga PNUD në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, qeveritë vendore dhe partnerët e shoqërisë civile, Qendra “Fuqizojmë Komunitetin” në Durrës është një nga tre qendrat (Durrës, Lezhë dhe Kurbin) të krijuara si pjesë e këtij projekti, i cili synon të ofrojë shërbime sociale thelbësore për komunitetet vulnerabël në të tre zonat e projektit.