MENU
klinika

Vëllai i 29-vjeçarit: Ja çfarë më tha herën e fundit

Misteri i vdekjes/ U gjet i varur në pemë me duart e lidhura

28.11.2023 - 11:37

Misteri ka mbuluar vdekjen e të riut shqiptar, Angjelo Avadiu, i cili u gjet i varur në një pemë në Kyllini.

Lartësia dhe vendndodhja e pemës ka ngritur pikëpyetje mbi vdekjen e 29-vjeçarit shqiptar, duke u ngritur dyshime se mund të kemi të bëjmë me vrasje.

Vëllai i Angjelo Avdiut u ka kërkuar autoriteteve greke që të mos mbyllin çështjen si vetëvrasje, por të hetojnë rrethanat e ngjarjes së rëndë.

29-vjeçari kishte shkuar për të takuar ish-bashkëshorten e tij për t’i kërkuar që të riktheheshin bashkë. Por humbi gjurmët në mënyrë misterioze më 29 tetor në zonën e Bartolomeut dhe pothuajse një muaj më vonë, 25 nëntor, trupi i tij u gjet nga pronari i shtëpisë së pushimit, i cili kishte qenë në Athinë gjatë gjithë këtyre ditëve.

Kur ai mbërriti në banesë ndjeu aromën e rëndë dhe nisi të kërkojë se çfarë e shkaktonte. Më pas, në oborrin e banesës u përball me pamjet rrëqethëse, ku gjeti trupin e dekompozuar të të riut në pemë.

Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe shumë shpejt janë njoftuar të afërmit e tij. Trupi në dekompozim i 29-vjeçarit u identifikua nga nëna dhe vëllai i tij.

Trupi i të riut u gjet i varur në pemë në një lartësi të madhe me duart e lidhura me një litar.

Sipas policisë greke, dyshohet kemi të bëjmë me vetëvrasje. Ata kanë hedhur dyshimet se 29-vjeçari është ngjitur me anë të shkallëve në pemë dhe ka lidhur duart që të mos kishte mundësi për të shpëtuar veten.

Por i vëllai i viktimës ka kërkuar që hetimet për vdekjen e 29-vjeçarit të mos mbyllen me vetëvrasje, por të hetohet çështja.

“Edhe tani që po flas nuk jam mirë psikologjikisht me atë që pashë”, tha ai për Live News.

“Kohët e fundit vëllai im nuk ka qenë aspak mirë psikologjikisht”, tregoi vëllai i viktimës, teksa shtoi se 29-vjeçari, baba i një djali 9-vjeç, donte të bënte një tjetër përpjekje për t’u ribashkuar me gruan e tij.

Sipas tij, 29-vjeçari është zhdukur pa marrë me vete asnjë send personal.

“Herën e fundit që folëm më tha ‘Do të marr gruan time’. Ata kanë një fëmijë 9 vjeç”, tha vëllai i tij.

Vendi ku u gjet trupi i tij është 10 minuta me makinë nga zona ku jetonin dy vëllezërit. Hetimet në Kyllini vazhdojnë në pritje të ekspertizës mjeko-ligjore, e cila pritet të zbardhë shkakun e vdekjes së 29-vjeçait.

Eksperti mjekoligjor Galenderis u shpreh: “Skena e vdekjes ngre pikëpyetje dhe dyshime se dikush tjetër mund të jetë i përfshirë në ngjarje. Ka nevojë për hetime të mëtejshme”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN