Faqja zyrtare e NATO-s në platformën “X” ka publikuar një video përmbledhëse të turneut ballkanik të Sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili vizitoi edhe Kosovën.
Kjo vizitë e Stoltenberg, sipas NATO-s është bërë për të treguar përkushtimin e NATO-s për paqe dhe stabilitet në rajon.
“Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, vizitoi Ballkanin Perëndimor, duke riafirmuar përkushtimin e NATO-s për ta mbajtur paqen dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në përshkrimin e videos.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, tha në Prishtinë më 20 nëntor se aleanca po shqyrton nëse duhet të ketë një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, pas shpërthimit të dhunës në shtator.
“Tani ne po shqyrtojmë nëse duhet të kemi shtim të përhershëm për t’u siguruar që kjo të mos dalë jashtë kontrollit dhe të krijojë ndonjë dhunë në Kosovë, apo në rajonin e gjerë. Ne do të bëjmë atë që është e nevojshme. Aktualisht, ne jemi duke shqyrtuar rregullimet rreth pranisë sonë”, tha ai në një konferencë për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Gjatë vizitës në Prishtinë, e cila është në kuadër të një turi ballkanik, Stoltenberg tha se shtimi i pranisë ushtarake në Kosovë me 1.000 trupa – që përbën vendosjen më të madhe në vitet e fundit të aleancës – tregon se sa seriozisht e merr aleanca dhunën që shpërtheu muajve të fundit në Kosovë.
“Ne, vërtet, po investojmë në sigurinë e këtij rajoni, sepse siguria e njerëzve në këtë rajon, stabiliteti në këtë rajon, ka rëndësi për sigurinë tonë”, tha ai.
Shefi i NATO-s tha se aleanca është duke kryer një shqyrtim të pranisë ushtarake “që përfshin Bosnje e Hercegovinën dhe po ashtu Kosovën”.