ë komisionin e Ekonomisë u prezantua sot projektbuxheti i ministrisë së infrastrukturës ku, janë parashikuar fonde për zgjerimin me 4 korsi i autostradës Tiranë-Durrës, si dhe për avancimin e zgjerimit të rrugës Elbasan-Qafë-Thanë.
Ministrja bëri të ditur se vitin që vjen mbyllen punimet për Unazën e Tiranës dhe tunelin e Llogarasë. Ndërsa në vitin 2025 pritet të mbyllen punimet për tunelin e Murrizit si dhe do të mbarojë pas 16 vitesh rruga Qukës-Qafë Plloçë.
Kurse sa i takon sektorit energjetik, do të nisë në 2024 gazifikimi i Korçës.
Po ashtu po punohet për të hapur garën për ndërtimin e rrjetit të gazit Fier-Vlorë, që do të bëjë të mundur edhe lidhjen e gazsjellësit TAP me TEC Vlorë.
Sa i takon hekurudhave, janë parashikuar fonde për linjën Vorë – Hani i Hotit dhe Tiranë – Durrës, i cili do të ndërtohet edhe me ndihmën e BE, kurse janë në shqyrtim 5 ofertat për hartimin e studimit të fizibilitetit për linjën e re Durrës – Prishtinë, që do financohet nga buxheti i Shqipërisë dhe ai i Kosovës.
Buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për vitin 2024 është 52.87 mld lekë, nga 61.8 miliardë lekë i planifikuar për këtë vit.