Është e rëndësishme që të dyja palët ta kuptojnë se, nëse ndodh ndonjë trazirë në veri, kjo nënkupton përballje me NATO-n!
Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, ka lëshuar një paralajmërim të fortë këtë të hënë, teksa deklaroi se shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës nënkupton përballje me NATO-n.
“Është e rëndësishme që të dyja palët ta kuptojnë se, nëse ndodh ndonjë trazirë në veri, kjo nënkupton përballje me NATO-n”, tha O’Brien për gazetarë.
Ai tha se veriu i Kosovës duhet të jetë i qetë dhe i sigurt në mënyrë që Kosova dhe Serbia të shënojnë përparim politik në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.
Komentet e O’Brien vijnë në një kohë kur NATO-ja po mendon ta shtojë praninë e përhershme në Kosovë përmes misionit të vet paqeruajtës, KFOR.
Ai shtoi se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të bisedojë për rritjen e tensioneve në Ballkanin Perëndimor gjatë takimit dyditor të ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve të NATO-s, këtë javë në Bruksel, raporton ‘REL’.
Blinkeni, po ashtu, do t’i përfaqësojë Shtetet e Bashkuara në një takim të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Shkup, Maqedoni të Veriut.
Ndërsa për mundësinë e një shtimi më të përhershëm të pranisë së NATO-s në Kosovë, foli edhe Stoltenberg, gjatë një vizite në Prishtinë më 20 nëntor.
Javën e kaluar, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, premtoi se aleanca ushtarake perëndimore do të bëjë gjithçka për ta ruajtur paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Stoltenberg i dërgoi një mesazh të posaçëm Serbisë dhe Kosovës që të avancojnë në procesin e normalizimit të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Ne ftojmë Beogradin dhe Prishtinën që të angazhohen në dialogun, e mbështetur nga BE-ja, në mirëbesim, dhe gjithashtu besojmë se propozimi i ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe mund të jetë një hap i rëndësishëm për dialogun dhe që ky proces të jetë më konstruktiv”, tha ai.
Gjatë vizitës në Prishtinë më 20 nëntor, e cila ishte në kuadër të një turi ballkanik, Stoltenberg tha se shtimi i pranisë ushtarake në Kosovë me 1.000 trupa, tregon se sa seriozisht e merr aleanca dhunën që shpërtheu muajve të fundit në Kosovë.
“Ne, vërtet, po investojmë në sigurinë e këtij rajoni, sepse siguria e njerëzve në këtë rajon, stabiliteti në këtë rajon, ka rëndësi për sigurinë tonë”, tha ai.