MENU
klinika

Gjermania “rrëzon” Greqinë

Presionet e Athinës zyrtare për çështjen “Beleri”

28.11.2023 - 12:16

Gjermania i ka dhënë një “shuplakë” të fortë Greqisë, sa i takon bllokimit të integrimit të vendi në Bashkimin Evropian që kjo e fundit ka paralajmëruar nëse nuk zgjidhet çështja “Beleri”. Ministria e Jashtme gjermane, ka deklaruar për gazetën greke “Ta Nea”, se rruga e integrimit të Shqipërisë nuk duhet të ndërpritet. Për Shqipërinë, kancelaria dhe qeveria gjermane besojnë se është vendi me më shumë hapa drejt anëtarësimit në BE dhe se kjo rrugë nuk duhet të ndërpritet për shkak të një “bilateralizimi” të mosmarrëveshjeve me Greqinë për çështjen Beleri.“Për rastin e kandidatit për kryebashkiak në Himarë, Fredi Beleri, aktualisht po kryhen hetime nga autoritetet shqiptare.

Duhet të presim procesin aktual në Shqipëri. Çështja Beleri nuk duhet të bilaterizohet dhe të pengojë anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Përcaktues për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE është ekskluzivisht plotësimi i kritereve të anëtarësimit, përfshirë edhe “acquis”-në e BE-së. Është e rëndësishme që kjo të jetë gjithashtu pikë referimi për të gjitha shtetet anëtare në vendimet e tyre për hapat individualë në procesin e anëtarësimit. “Bilateralizimi” i procesit të anëtarësimit nuk është i pranueshëm”, thuhet në artikull. Sipas artikullit çështja Beleri është diskutuar në vizitën e kryeministrit Mitsotakis në Berlin dhe takimin e tij me kancelarin Scholz, jo aq shumë sa ka zënë vend të gjerë në bisedimet e dy delegacioneve qeveritare atje. Qëllimi kryesor i qeverisë gjermane thekson gazeta është të parandalojë ndërprerjen e procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, për shkak të konflikteve me një vend tashmë anëtar të BE-së, përtej përmbushjes së vetë kritereve të anëtarësimit.

Një rast i “bilateralizimit” është konflikti aktual i Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut, ndaj dhe qeveria gjermane nuk do të donte që çështja Beleri të rezultonte me një “bilateralizim” edhe të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë, nëse Athina vendos të marrë masa specifike dypalëshe kundër Tiranës. Për këtë arsye, në rastin Beleri, Ministria e Jashtme gjermane insiston në qëndrimin se “bilateralizimi i procesit të anëtarësimit” është i papranueshëm thotë gazeta, e cila gjithsesi thekson se vendet anëtare të BE-së, midis tyre edhe Greqia kërkojnë si kriter anëtarësimi, zbatimin e shtetit të së drejtës dhe të drejtës europiane që në rastin e Shqipërisë lidhet edhe me mbrojtjen e të drejtave të minoritetit grek.

Reagon ministri i shtetit grek
Ndërkohë, ministri i shtetit të Greqisë, Savros Papastavrou ka deklaruar dje gjatë një intervistë për radio “Skay” se burgimi i Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës nuk është vetëm një çështje dypalëshe, por një çështje evropiane. “Çështja e Belerit është thelbësisht evropiane, jo dypalëshe. Ai sillet rreth respektimit të shtetit të së drejtës. Nëse z. Beleri nuk do të ishte anëtar i minoritetit etnik grek apo ndonjë minoriteti, është e qartë se Greqia mund të mos kishte shprehur të njëjtin nivel interesi. Megjithatë, për sa i përket BE-së, kjo duhet parë si një çështje evropiane.

Nëse një autoritet ekzekutiv në çdo shtet ka aftësinë të refuzojë të betohet dikë bazuar vetëm në preferencat personale, kjo përbën një problem për Evropën”, tha ai. Ministri grek, i cili javën e kaluar vizitoi Belerin në burg, la të kuptohet se mungesa e progresit në këtë çështje mund të ketë pasoja në aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në BE.“Është e qartë se Greqia mbështet vazhdimisht dhe në mënyrë të palëkundur perspektivën e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor. Ne të gjithë përfitojmë nga perspektiva evropiane e Shqipërisë, veçanërisht pakica kombëtare greke. Megjithatë, kjo rrugë integruese ka disa kushte dhe kritere”, nënvizoi Papastavrou.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN