MENU
klinika

Paralajmërimi për luftë

Profesori amerikan: Zelensky mund t’i mbyllë derën Putinit në Ballkan duke e njohur Kosovën

18.11.2023 - 13:00

Eksperti amerikan Edward Joseph beson se paralajmërimi i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mund të mënjanohet në mënyrë të thjeshtë: Kievi zyrtar të njohë pavarësinë e Kosovës.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të enjten, bëri një paralajmërim mjaft shqetësues duke thënë se Rusia mund të krijojë “kriza të reja” në Ballkan dhe Moldavi, në mënyrë që, siç tha ai, të largojë vëmendjen e botës nga lufta në Ukrainë.

Paralajmërimi i tij mund të përkufizohet si shqetësues meqë ai tha se ka informacione që “Rusia ka një plan të gjatë, që Ballkanin ta shndërrojë në Lindje të Mesme”.

E sipas profesorit amerikan është pikërisht Zelensky ai i cili ka fuqinë për të ndaluar agjendën ruse në Ballkan duke e njohur shtetësinë e Kosovës.

“Nuk do të humbisni as municione nga Serbia. Njohja e Kosovës nga Ukraina do të katalizojë lëvizjen vendimtare të Serbisë drejtë Perëndimit”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Paralajmërimet e Zelensky-it, se Rusia ka plane për kriza të reja në Ballkan, nuk janë vetëm pretendime, por po rezultojnë si shqetësime konkrete edhe në Bashkimin Evropian.

Deklarata e Zelensky-t u konfirmua edhe nga Bashkimi Evropian, përkatësisht nga zëdhënësi i Unionit, Peter Stano.

Stano, në një konferencë për media të premten, tha se edhe BE për një kohë të gjatë ka vërejtur tendencën e Rusisë për të ushtruar ndikimin e saj malinje në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Për një kohë të gjatë ne kemi thënë se Rusia po bën përpjekje për të ushtruar ndikim malinj edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pra, po, ky është shqetësimi që ne e ndajmë dhe ky nuk është shqetësim i ri, por shqetësim që ka qenë me ne për një kohë”, tha Stano.