Prokuroria e Tiranës ka pushuar çështjen për 32-vjeçarin Lear Kurti. Hetuesit e çështjes kanë arritur në përfundimin se efektivët e policisë të cilët bënë shoqërimin e tij në komisariat, nuk kanë kryer shkelje.
Ndërsa sipas ekspertizës, i riu humbi jetën nga mbidoza e drogës. Do të jetë Gjykata që do të vendosë nëse do ta pranojë apo jo kërkesën e prokurorit Albert Demirneli.
Lear Kurti humbi jetën pas shoqerimit nga Policia ne Komisariatin numer 3 më 19 tetor 2022.
Nëna e të riut dhe miq të tij hodhën akuza se Lear Kurti vdiq nga dhuna e ushtruar, sipas tyre nga efektivët në momentin e shoqërimit.
Por ekspertiza, e cila doli më 18 nëntor 2022, arriti në përfundimin se “Shkaku i vdekjes së shtetasit Lear Kurti ka qenë helmimi akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik”.
Mjekët ligjorë treguan vetëm shkakun e vdekjes së të riut, duke mos dhënë detaje mbi kohën kur ka ndërruar jetë.
“Kështu, në akt-ekspertizën përfundimtare, 5 mjekë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, duket se kanë dhënë një përgjigje finale mbi ngjarjen e rëndë të 19 tetorit. Përgjigjja shkencore e ekspertëve hedh poshtë dyshimet se ndaj Lear Kurtit, patrulla e Policisë ushtroi veprime arbitrare, çka do të sjellë pushimin e kësaj akuze”, tha Prokuroria në atë kohë.
Lear Kurti po ecte në këmbë mesnatën e 19 tetorit kur u konstatua nga një patrullë policie që i kërkoi të ndalojë.
Por viktima u largua me vrap duke u ndjekur nga policia e cila e neutralizoi në një rrugicë ku ai shfaqi problemet e para shëndetësore.
30 minuta më vonë gjendja e tij u përkeqësua dhe nga komisariati i riu u transportua në spital ku dhe humbi jetën pa mbërritur ende. Është pikërisht ky moment i dyshimtë që futi në përplasje një sërë institucionesh përfshirë edhe Spitalin e Traumës, mjekët e të cilit hodhën poshtë faktin që pacienti që çoi policia në spital të kishte shenja jete.
Ata u morën në pyetje nga prokuroria dhe pranuan se kishin bërë gjithçka mundën që ta kthenin në jetë të riun, por nuk ia kishin dalë. Prokuroria ende nuk i ka dhënë përgjigje një morie pikëpyetjeve në lidhje me atë ngjarje të rëndë, një prej të cilave ishte edhe fakti se si nuk shkoi ambulanca deri te Komisariati nr. 3 kur e kishte thirrur policia. Megjithatë, pavarësisht kësaj ekspertize të publikuar nga Prokuroria e Tiranës, ngjarja ku humbi jetën Lear Kurti mbart ende mister.
“Ndërroi jetë nga torturat”
Një prej miqve të Lear Kurtit ka treguar momentet e fundit të jetës të të riut për emisionin “Piranjat”.
Ai tha se ka qenë dëshmitar në momentin e arrestimit duke shtuar se Leari ndërroi jetë si pasojë e torturave.
Më kanë marrë shumë veta në pyetje unë i qëndroj këtij versioni. Këta kanë nxjerrë versionet e tyre. Jo ka vdekur nga mbidoza, nuk ka lidhej fare. Këta turp të kenë. Policët që kanë thënë atë natë duhet të bëhen burra dhe të thonë ‘Po ne u acaruam se na iku’. Të thonë të vërtetën. Leari ka ndërruar jetë nga torturat e këtyre dhe nuk e kanë kuptuar që djali ka pasur sëmundje. Sapo e ka marrë vesh edhe vetë ai. Se kanë kuptuar se pse ka qenë e axhituar dhe djali dha shpirt”, tha ai.
Nëna e Lear Kurtit
Në një prononcim për News24 në janar 2023, Fatmira Mustafaj u shpreh mes lotësh se i biri ndërroi jetë si pasojë e dhunës.
Nëna tha se e ka humbur shpresën tek drejtësia dhe është zhgënjyer nga shteti.
“Djali im nuk ka pasur probleme shëndetësore, por edhe sikur i duhej dhënë ndihma e shpejtë. Dua të më qetësohet shpirti dhe të dalë e drejta. Djali i m ka ikur nga duart e atyre. Iku nga dhuna. Nuk di.
Djali im ishte si gjithë të tjerët, nuk ishte në atë gjendje që të përfundonte ashtu, por thjeshtë nuk i është dhënë ndihma e parë. Fatkeqësisht unë nuk besoj dhe jam shumë e zhgënjyer këtë shtet sepse vë në faj personat që ikin nga kjo jetë. Nga aq sa pash nga rrethanat si iku, vë në faj efektivët që kapën djalin tim”, u shpreh ajo.