MENU
klinika

Draft Statuti i BE-së për Asociacionin

Rama: Nuk mund të jem më krenar për kontributin e Shqipërisë

02.11.2023 - 14:06

Kryeministri Edi Rama, pas zbardhjes së propozimit të tij për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar se është krenar për kontributin e dhënë nga Shqipëria.

Por, kreu i qeverisë theksoi se Prishtina dhe Beogradi kanë pranuar draft statutin për asociacionit e komunave me shumicë serbe të hartuar nga Bashkimi Europian.

Rama theksoi se Shqipëria do ta mbështesë fuqimisht Kosovën në zbatimin e Marrëveshjes Themelore, ndërsa theksoi se së shpejti do të udhëtojë drejt Prishtinës “për të treguar personalisht mbështetjen time”.

“Nuk mund të krenohesha për kontributin e vendosur dhe konkret të Shqipërisë në procesin e vështirë të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i pranuar nga Kosova dhe Serbia si dokument i përshtatshëm pune është një draft i BE-së.

Shqipëria do ta mbështesë fuqimisht Kosovën në zbatimin e Marrëveshjes Themelore dhe do të vazhdojë të luajë rolin e saj në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal ndërmjet të gjitha vendeve në fqinjësinë tonë.

Së shpejti do të shkoj në Prishtinë për të treguar personalisht mbështetjen time”, shkroi kryeministri Rama në një postim në “X”.

Çfarë përmbante draft-propozimi i Ramës

Draft propozimi i bërë publik nga Tv Klan mban titullin “projekt – statuti për bashkësinë e komunave me shumicë serbe” dhe që kryeministri Rama ua dërgoi Presidentit francez Emmanuel Macron dhe Kancelarit gjerman, Olaf Scholz më 7 Qeshor të këtij viti.

Ai përmban kornizat, kontekstin ligjor dhe politik, projekt-statutet e ndryshme, vijat e kuqe të palëve dhe parimet e hartimit.

Tre janë objektivat kryesorë.

“Implementimi i Marrëveshjes Bazë të vitit 2013, ratifikuar nga Kosova dhe i Marrëveshjes së 2015-ës. Krimi i një kornize për vetëmenaxhimin me autonomi thelbësore për komunitetin serb të Kosovës. Mbrojtje e dyfishtë”.

Katër janë parimet kryesore. “Statuti përcakton kompetencat, organizimin dhe mënyrën e funksionimit të trupës.

Statuti i dërgohet për vlerësim Gjykatës Kushtetuese.

Asociacioni nuk duhet të zëvendësojë, t’í mbivendoset osë të reduktojë të drejtat e asnjë prej komuniteteve me banim në këto komuna.

Pjesëmarrja vullnetare është e hapur së pari për bashkitë me shumicë serbe”.

Ndër kompetencat kryesore janë bashkëpunim dhe bashkëveprimi ndërkomunal, promovimi dhe mbrojtja e të drejtave dhe interesave të komunitetit serb në Kosovë pa paragjykime ndaj komuniteteve të tjera, menaxhimi i institucioneve lokale të shëndetit dhe arsimit dhe hartimi i politikave që nxisin përparimin e demokracisë dhe angazhimit civil lokal.

Por si do të funksionojë kjo bashkësi komunash? Kryeministri Rama propozon këtë strukturë organizative.

“Struktura organizative, asambleja, Presidenti dhe zv/presidenti, Bordi, grupi këshillues, administrata, zyra e ankesave”.

Përsa i përket marrëdhënieve me autoritetet qendrore, në propozimin e Kryeministrit Rama parashikohen këto sugjerime.

“Bashkësia nuk duhet të zëvendësojë apo minojë marrëdhëniet kushtetuese dhe ligjore mes autoriteteve qendrore dhe lokale në Kosovë.

Dy vitet e para pas nisjes nga puna, bashkësia do të monitorohet nga Bashkimi Europian

Bashkësia mund të hartojë këshilla dhe ekspertizë teknike në hartimin e legjislacionit, siç bën Këshilli Konsultativ për Komunitetet”.

Drafti është pranuar nga të dyja palët, si nga pala serbe ashtu edhe nga pala kosovare, që fillimisht e kundërshtoi atë nëpërmjet Kryeministrit Kurti, por duket që presioni ndërkombëtar ka bërë që pala kosovare ta pranojë këtë propozim të Kryeministrit Rama.

“Të dyja palët thanë se projekt-dokumenti mund të shërbejë si dokument i përshtatshëm pune.

Kosova ka ngritur disa çështje, paraqiti disa papërputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës dhe dokumente të tjera. Serbia njoftoi se kishte disa pyetje dhe shqetësime pa theksuar kundërshti të veçanta”.

Në përfundim të draftit thuhet se ai ka marrë edhe mbështetjen e partnerëve kryesorë ndërkombëtarë.

“Draft-Statuti mbështetet nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara. Draft-Statuti nuk shkel asnjë vijë të kuqe të Kosovës. Draft-Statuti ve në dukje prioritetet kryesore të Serbisë”.

Kur u propozua nga Kryeministri Rama, në Shqipëri e Kosovë shpërthyen akuzat kundër tij, ndoshta edhe për faktin se drafti nuk ishte publik.

Por ai u përshëndet nga emisarët e BE dhe SHBA, Lajçak e Escobar, ndërsa Brukseli e vlerësoi si serioz.

Pranimi i propozimit të Kryeministrit Rama bëhet kështu për herë të parë një bazë e ndërtimit të një dokumenti të Bashkimit Europian për një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë.

Ai parashikon edhe mënyrën e financimit të asociacionit, me kontribute nga anëtarët, autoritetet e Kosovës, grante të tjera dhe donacione përfshirë edhe nga Serbia.

Buxheti dhe shpenzimet të jenë subjekt i një mbikqyrjeje të një periudhe 5-vjeçare nga Bashkimi Europian dhe që mund të rinovohet, ndërsa Auditi i Përgjithshë i Kosovës do të bëjë kontrolle të jashtme ndaj Asociacionit në përputhje me ligjin.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Hapat që do të ndërmerren tani nga Shqipëria

Rama mbyll turin në Ballkanin Perëndimor

Po nëse shkel marrëveshjen me Kosovën?

Pse Perëndimi po toleron ofendimet e Vuçiçit

Marrëveshja e Ohrit në fokus të vizitës

Rama pret Kurtin