MENU
klinika

Analiza

Pse Gjermania nuk shpëton dot nga emigracioni?

15.11.2023 - 17:19

Numri i sulmeve ndaj refugjatëve dhe azilkërkuesve në Gjermani është rritur ndjeshëm këtë vit, tha dje qeveria gjermane. “Në tre tremujorët e parë të këtij viti, u regjistruan 1515 sulme të motivuara politikisht ndaj refugjatëve dhe azilkërkuesve, që është më shumë se i gjithë viti i kaluar”, thuhet në përgjigjen e qeverisë gjermane ndaj një hetimi nga grupi i partisë së majtë në Bundestag. Numri më i madh i sulmeve, dy të tretat, i atribuohen autorëve nga mjedisi politik i ekstremit të djathtë. Partia e Majtë kritikoi rritjen e dhunës ndaj refugjatëve dhe azilkërkuesve dhe e lidhi këtë rritje me debatin aktual për kufizimin e emigracionit të paligjshëm në Gjermani. “Në Gjermani, refugjatët janë çdo ditë cak i sulmeve, poshtërimeve dhe përhapjes së urrejtjes. Një nga arsyet është debati gjithnjë e më intensiv për azilkërkuesit, i cili ofron terren pjellor për mobilizimin racist në rrugë dhe dhunën e drejtuar kundër refugjatëve”, tha përfaqësuesja e partisë së majtë, Clara Buenger. Qeveria federale dhe përfaqësuesit e shteteve së fundmi ranë dakord për një paketë masash që duhet të rezultojë në uljen e numrit të refugjatëve, të cilët kanë ardhur sërish në Gjermani në numër të shtuar që nga fillimi i vitit. Ndër të tjera, masat përfshijnë rritjen e kontrollit kufitar si dhe heqjen e përfitimeve sociale për refugjatët, gjë që duhet të zvogëlojë atraktivitetin e Gjermanisë si destinacion për flukset e emigrantëve. Në sondazhet e opinionit publik qytetarët gjermanë deklarojnë pikërisht problemin e emigracionit të pakontrolluar si problemin më të madh social. Partitë si AfD e krahut të djathtë përfitojnë më shumë nga kjo gjendje.