Këtë fundvit të gjitha rrugët nuk të çojnë në Romë, Vienë, Pragë apo Strasburg, por në Berat. “Qyteti i një mbi një dritareve”, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s që prej 2008-s, ka veshur mantelin festiv ketë fund nëntori dhe duket më magjepsës se kurrë.
Lajmin e ka ndarë kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili ka publikuar në llogaritë e tij në Facebook dhe Instagram disa foto që na kujtuan edhe një herë se festat nuk janë aq larg sa mendoni.
Rrugicat e kalldrëmta, ura e Goricës që ndan lagjen me të njëjtin emër nga Mangalemi, por edhe sheshi kryesor i qytetit shkëlqejnë nën vezullimin e dritave shumëngjyrëshe dhe janë kthyer në sensacionin e momentit në rrjetë sociale.
Ajo që ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve, është një arush gjigant i cili të bën të mendosh sikur je në Disneyland. Të vegjlit janë ata që shijojnë më shumë praninë e tij, por nuk mbeten pas as më të rriturit që përfitojnë nga rasti për të bërë sa më shumë foto.
Një gotë verë, të lutem! Përveç se “i bekuar” nga pozicioni i favorshëm gjeografik dhe arkitektura e jashtëzakonshme, Berati është gjithashtu një qytet që spikat për mikpritjen e ngrohtë dhe kulturën e shumëllojshme kulinare.
Nëse nuk keni bërë akoma plane për këtë vit, futeni Beratin në listën e destinacioneve tuaja sepse ky qytet mbetet një nga grishjet më të forta për turizmin e historisë, artit e kulturës në Shqipëri.
Dhe siç është shprehur Tarry Davis, Sekretar i Përgjithshëm i KE: ” Nëse Pjetri i madh i Rusisë e shihte Evropën nga një dritare e Shën Petërburgut, ju shqiptarët e shihni atë nga një mbi një dritaret e qytetit të Beratit”.