Komisioni Evropian (KE) i ka qortuar Kosovën dhe Serbinë për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE) në raportet e tij të progresit për të dy vendet, të cilat pritet të publikohen të mërkurën.
Radio Evropa e Lirë e ka parë një draft të raportit 150-faqesh, në të cilin vlerësohet përmbushja apo jo e kritereve nga ana e Kosovës, si dhe e rekomandimeve që ka dhënë KE-ja në raportet e mëhershme.
Kosova ka bërë “përparime të kufizuara” në përmbushjen e standardeve të nevojshme për t’iu bashkuar BE-së. Ky është vlerësimi më i shpeshtë në Raportin të cilin KE-ja pritet ta miratojë nesër pas takimit të Kolegjit të Komisionarëve.
Por, në raportet e këtij viti, si në atë për Kosovën, ashtu edhe në atë për Serbinë, një vëmendje e shtuar i është kushtuar përmbushjes së detyrimeve që dalin nga dialogu i Brukselit dhe në këtë çështje të dyja vendet qortohen për moszbatim e tyre.
Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është vlerësuar me tekstin e njëjtë në të dyja raportet individuale të progresit, për secilin vend përkatës, pasi këto obligime janë pjesë e kritereve edhe për avancim në procesin e integrimeve evropiane.
Duke e rikujtuar arritjen e marrëveshjes në Bruksel në shkurt dhe aneksit për zbatimin e saj një muaj më vonë në Ohër, raporti shpreh keqardhje që palët nuk kanë filluar ende t’i kryejnë obligimet e tyre.
“Si Kosova, ashtu edhe Serbia, akoma nuk e kanë filluar zbatimin e obligimeve të tyre përkatëse, të cilat dalin nga Marrëveshja, të cilat janë të vlefshme dhe detyruese për palët dhe pjesë e rrugëtimit të tyre evropian. Palët duhet urgjentisht të nisin angazhimin më konstruktiv dhe të nisin implementimin pa vonesa të reja, apo parakushte“, thuhet në Raportin e Progresit.
Raporti nënvizon detyrimin e Kosovës për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në këtë pikë, dokumenti thekson se drafti i parë i statutit të Asociacionit, i cili ishte paraqitur në takimin e nivelit të lartë të dialogut në muajin maj, e që praktikisht ishte draft i Serbisë “nuk ka qenë në përputhje me marrëveshjet relevante nga dialogu“.
Raporti tani kërkon që Asociacioni të themelohet në bazë të propozimit të fundit që palëve u është dhënë me 21 tetor.
“Nga Kosova pritet ta nisë procesin i cili çon deri te themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe bazuar në propozimin evropian, i cili u propozua para palëve me 21 tetor 2023 dhe nga Serbia kërkohet ta mbështesë këtë proces dhe paralelisht ta fillojë përmbushjen e obligimeve të veta kyçe nga Marrëveshja“, paralajmëron raporti, i cili bën thirrje që “formalitetet, përfshirë edhe ato që lidhen me miratimin, nuk duhet të jenë pengesa në rrugën e progresit në zbatimit”.
Raporti e quan tërheqjen e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 dhe bojkotin e tyre të zgjedhjeve lokale të prillit të vitit 2023 si “shkelje të obligimeve të Serbisë nga dialogu dhe paraqet kthim të madh mbrapa të Serbisë në përmbushjen e obligimeve nga marrëveshja e parë për parimet për normalizimin e marrëdhënieve dhe shkelje direkte e marrëveshjes për drejtësinë të vitit 2015“.
Ai i bën thirrje Serbisë t’i nxitë serbët e Kosovës “që menjëherë të kthehen në institucione”, ndërsa i bën thirrje Kosovës ta bëjë të mundur një gjë të tillë.
“Që nga nëntori i vitit 2022 asnjëra palë nuk e ka bërë asnjë hap në këtë drejtim“, thuhet në raport.
Raporti përmend edhe disa obligime të tjera nga dialogu të cilat nuk janë zbatuar, përfshirë edhe hapja e urës në Mitrovicë, marrëveshja për energjinë etj. Serbia përmendet si palë e cila nuk zbaton as marrëveshjen për kadastrat dhe diplomat universitare.
Nga Serbia kërkohet të bëjë më shumë edhe në rifillimin e takimeve të rregullta për zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufirit (IBM), për mbylljen e rrugëve ilegale për kalimin e vijës kufitare dhe ta zgjidhë çështjen e lëshimit të targave të veturave “pasi kjo çështje ka potencial të shkaktojë tensione në Kosovë”.
Kosovës dhe Serbisë i kërkohet të kenë “sjellje konstruktive” në nismat rajonale. Për më tepër, Serbisë i kërkohet t’i respektojë obligimet për pjesëmarrjen e Kosovës, ndërsa Kosovës të mos i mbajë të bllokuara proceset siç e bën, sipas këtij raporti, si në rastin e CEFTA-s.
Tensionet në veri të Kosovës
Raporti i Progresit i këtij viti i përshkruan me kujdes tensioneve në veri të Kosovës, duke ardhur në përfundim se të dyja palët kanë ndikuar që të ketë kriza të tilla për shkak të veprimeve të tyre. Kosova, sipas raportit, ka ndikuar në rritjen e tensioneve me praninë e shtuar të njësive speciale të Policisë dhe me ligjin për shpronësim në veri, ndërsa Serbia me tërheqjen e serbëve nga institucionet dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale.
Në veçanti, raporti flet për ngjarjen më të rëndë që ka ndodhur në këtë periudhë; sulmin ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i serbëve të armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Megjithëse në deklaratat publike të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ky sulm është cilësuar si “terrorist“, në Raporti i Progresit i referohet atij vetëm si “sulm i dhunshëm“ ndaj Policisë së Kosovës, ndërsa brenda në raport si një “operacion i madh i kontrabandës së armëve“.
“Kriza më serioze gjatë periudhës që përfshinë raporti ndodhi më 24 shtatorë të vitit 2023, kur Policia e Kosovës u sulmua nga individë të armatosur rëndë, të cilët u zunë në befasi gjatë një operacioni të madh të trafikimit të armëve, duke lënë një polic të vrarë dhe tre të plagosur. Gjatë operacionit sulmuesit morën peng disa pelegrin duke u barrikaduar në manastirin ortodoks serb në Banjskë, të cilët i lanë pas kur u larguan“, thuhet në raport.
Raporti i bën thirrje Serbisë për bashkëpunim të plotë në hetime dhe t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit.
“Sulmi nuk duhet të shërbejë si një arsyetim për cilëndo palë për largimin e vëmendjes nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja. Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë përpjekjet domethënëse për shtensionimin, si dhe të sigurojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës sa më shpejtë që të jetë e mundur, me pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës“, thuhet në raport.
Përparimi i “kufizuar” i Kosovës
Sa i përket përparimeve që arritur Kosova në fushat që i mbikëqyr Komisioni Evropian, “përparim i kufizuar“ është arritur në luftë kundër korrupsionit, funksionimit të gjyqësorit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe në lirinë e shprehjes. Në të shumtën e rasteve, raporti thekson se nuk ka pasur sa duhet rezultate në zbatim, ndonëse është arritur përparim në miratimin e kornizës ligjore.
Raporti vlerësoi se Kosova ka dështuar ta reformojë aministratën publike duke nënvizuar se “nuk ka pasur përparim“ në këtë fushë.
Situata politike në Kosovë vlerësohet si qëndrueshme, ku raporti e përmend faktin se Lëvizja Vetëvendosje gëzon një shumicë të mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës e cila ia ka “mundësuar ta çojë përpara një agjendë ambicioze të reformave evropiane”.
Kosova vlerësohet për reformën e ligjit zgjedhor. Tashmë, si problem kronik, përmendet pengimi i punës së Kuvendit të Kosovës si pasojë e mungesës së kuorumit, përkundër faktit se partia në pushtet ka shumicën e nevojshme në Kuvend. Problem i veçantë edhe në punën e Kuvendit, sipas raportit, është bojkoti i deputetëve serbë të cilët shkojnë vetëm sa për t’i ruajtur mandatet por vazhdojnë bojkotin.
Raporti ka dhënë disa vërejtje në fushën e lirisë së mediave. Ai përmend sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, problemet me financim të mediave që i bën ato të ndjeshme ndaj ndikimeve të interesave politike apo financiare, jo transparenca e pronësisë së mediave. Si shqetësim i veçantë në raport përmendet gjendja e lirisë së mediave në veri të Kosovës.
Të mërkurën, në takimin e Kolegjit të 27 Komisionarëve, do të miratohet paketa e zgjerimit, së bashku me raportet individuale të progresit për të gjitha vendet e përfshira në procesin e zgjerimit.
Është hera e parë që raportet do të miratohen për 10 vende që janë në këtë proces. Janë gjashtë vende të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, pastaj Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina, ndërsa raport i progresit i bëhet ende edhe Turqisë që vazhdon formalisht ta ketë statusin e vendit kandidat.
Marrë nga REL.