MENU
klinika

Komisionerët rrezikojnë nëse zbulohen shkelje

Rinumërohen 10% e kutive të “14 Majit”

05.11.2023 - 21:05

Numëruesit e 526 kutive të votave të 14 majit, kanë një arsye të frikësohen këtë javë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të hapë 10 % të kutive të zgjedhjeve për bashkitë, për të kontrolluar nëse vota është numëruar dhe lexuar ashtu siç qytetarët e kanë shprehur, apo komisionerët kanë abuzuar duke e deformuar vullnetin e tyre.

Këto kuti janë zgjedhur përmes një procesi shorti dhe përfshijnë të gjitha bashkitë e vendit, pa asnjë përjashtim. Rinumërimi i votave do të bëhet nga specialistë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por partitë mund të monitorojnë nga afër të gjithë procesin që do të jetë i hapur edhe për publikun.

Ky është një ndryshim i viteve të fundit në Kodin Zgjedhor, përmes të cilit KQZ detyrohet që pas zgjedhjeve të rinumërojë 10 % të votave, për të kontrolluar për abuzime. Qëllimi ka qenë që të frenohej vjedhja e votave nga numëruesit, sepse të gjithëve potencialisht mund t’u bjerë shorti të verifikohen pak muaj më pas.

Hera e parë që kjo procedurë u krye, ishte për zgjedhjet e fundit parlamentare. Hapja e kutive tregoi se kishte pasur lëvizje të votave, jo nga një parti tek tjetra, por brenda vetë kandidatëve të së njëjtës parti. Meqë votohej edhe për partinë edhe për deputetin e preferuar nga lista e partisë, numëruesit kishin bërë zhvendosje të orientuara votash, nga një kandidat tek një tjetër, brenda të njëjtës familje politike.

Asokohe KQZ njoftoi kallëzime penale për këta numërues, por ndëshkimi i tyre thuajse nuk u pa.