MENU
klinika

SHBA: Nevojë urgjente për të ndihmuar rajonin

Rusia planifikon luftë në Ballkan?

19.11.2023 - 18:37

Agresioni i Rusisë në Ukrainë vë në pah urgjencën për të ndihmuar shtetet e Ballkanit Perëndimor që të arrijnë aspiratat e tyre për integrim evropian dhe anëtarësim në institucionet euroatlantike.

Kështu tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë duke ju përgjigjur pyetjes nëse SHBA-ja ndan shqetësimin me Bashkimin Evropian sa i përket deklaratës së presidentit Volodymyr Zelensky, se Moska dëshiron të nxisë konflikt në Ballkanin Perëndimor.

“Shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe të gjitha shtetet në Evropë, kanë një interes të madh në rezultatin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, luftë që kërcënon themelet e rendit dhe sigurisë ndërkombëtare. Prandaj, është thelbësore që ne të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku përballë agresionit të Rusisë.”

Më herët gjatë javës, Zelensky deklaroi për mediat afrikane se ai ka prova të synimeve të Moskës për të nisur një luftë midis shteteve të Ballkanit Perëndimor. Për synimet e tilla të Moskës u pajtua edhe BE-ja.

Zëdhënës i BE-së, Peter Stano deklaroi se blloku për një kohë të gjatë ka thënë se Rusia po bën përpjekje për të ushtruar ndikim malinj edhe në Ballkanin Perëndimor.

DASH tha se Uashingtoni po punon me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe me partnerët evropianë, që të avancohet qeverisja, sundimi i rendit dhe ligjit dhe të kryen reformat kundër korrupsionit “që do të pakësojnë mundësinë për ndikimin malinj rus dhe të sjellin paqe afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet për rajonin”.

Sipas zëdhënësit, sanksionet e shpallura nga Departamenti i Thesarit të enjten, synojnë pikërisht të luftojnë ndërlidhjen e ndikimit malinj rus dhe korrupsionit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Moska dha miliona edhe për Shqipërinë”

‘Pobjeda’ e Malit të Zi: Sali Berisha, pikë kontakti e Rusisë

Deklarata e fortë e të dërguarës së Gjermanisë

“Ballkani i Hapur të mos dublojë procesin e Berlinit”