MENU
klinika

Parashikimi për fundjavën

SHMU jep alarmin: Edhe nesër do të ketë stuhi të forta shiu

03.11.2023 - 19:45

Stuhia “Ciaran” ka ardhur në Shqipëri. Vendi prej disa orësh po përballet me reshje të larta dhe stuhi shiu duke krijuar jo pak probleme me qarkullimin e mjeteve dhe përmbytje të rrugëve. Sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak reshjet do të vijojnë me të njëjtin instensitet edhe gjatë ditës së nesërme.

“Për fundjavën që presim përpara vendi ynë do të ndikohet nga kushte kryesisht të paqëndrueshme atmosferike si pasojë e periferisë së një stuhie të fortë që ka përfshirë jo vetëm vendin tonë por edhe një pjesë të madhe të europës. Në këtë mënyrë për ditën e shtunë nga orët e para të 24-orëshit deri në orët e mesditës moti parashikohet me vranësira të dendura e reshje shiu të vazhdueshme dhe intensitet të ulët dhe kryesisht mesatar në formën e shtrëngatave”, njofton SHMU.

Në periudha afatshkurtra reshjet do të jenë me intensitet të lartë në “formën e rrebesheve dhe stuhive të forta shoqëruar me shkarkesa të forta elektrike dhe breshër. Pas mesdite mot me alternime kthjellimesh e vranësirash me këto të fundit të cilat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët apo shtrëngata afatshkurtra.”

Për ditën e diel sipas SHMU moti nis me alternime kthjellimesh e vranësirash me këto të fundit më tepër të theksuara në veriperëndim dhe jugperëndim. Në orët e pasdites në zonën e veriperëndimit dhe jugperëndimit reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe mesatar në formën e shtrëngatave.

“Vlen për tu theksuar se për ditën e Diel pritet erë tepër intensive dhe problematike kryesisht përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore. Era pritet të fryjë me drejtim kryesor nga kuadrati i jugut dhe shpejtësi mesatare 3-12m/s ndërsa me rrahje era intensive 15-25m/s shoqëruar me dallgëzim të lartë në dete të forcës 5-7 ballë.”