MENU
klinika

Çfarë po përgatit qeveria

Si do të rriten përfitimet për ata që marrin më pak pension

13.11.2023 - 13:28

Reforma e skemës së pensioneve është në rishikim me qëllim që të gjendet një qasje, e cila të sheshojë diferencat e indeksimit vjetor të pensioneve. Lajmin e dha ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ervin Mete, në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2024. Mete tha se ndryshimet janë në fazën e konsultimit me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar dhe po marrin në konsideratë ndryshimet demografike dhe efektet që do krijojnë në ecurinë e numrit të kontribuuesve dhe përfituesve në vijim. Ministri tha se po punohet për një qasje që amortizon diferencat. Sipas Monitor, pohuan se po punohet për ndryshime kryesore që janë në fazën e konsultimit. -E para, po punohet për një formulë që të mundësojë rritjen e pensioneve të ulëta me një vlerë më të madhe se të atyre më të larta.

Rrugët që do ndiqen
Aktualisht indeksimi aplikohet në përqindje të inflacionit të pensionisteve. Këtë vit u aplikua 8.6%, por e përkthyer në vlerë përfitimi është shumë i vogël për pensionet e ulëta se ato të larta. P.sh. një pensionist në fshat që paguhet 10,000 lekë në muaj, mori rritje në tetor 2023 vetëm 860 lekë, ndërsa një pensionist që paguhet me 30 mijë lekë në muaj, përfitoi një shtesë 2,560 lekë, ose tre herë më të lartë. -E dyta ka të bëjë me ndërhyrjen në vendosjen e limiteve për përfitimet në skemat suplementare, pasi rritja e tyre me ritmet aktuale parashikohet të rëndojë më shumë skemën në afat të gjatë. P.sh. në të ardhmen dalja në pension e punonjësve të sistemit të drejtësie mund t’i kushtojë skemës publike të pensioneve. Aktualisht skema publike e pensioneve është nën presionin e rritjes së numrit të përfituesve për shkak se këtë dekadë del në pension brezi i bumit të lindjeve në vitet 1970, dhe nga ana tjetër numri i kontribuuesve do të maturohet prej rënies së grupmoshave të reja të popullsisë nga rënia e lindjeve dhe emigracioni i lartë. Teksa pagat janë rritur në sektorin publik dhe privat, duke u bërë edhe shkak për rritjen e mëtejshëm të çmimet, të ardhurat e pensionistëve jo vetëm që nuk u rritën, por ato u bënë viktimat kryesorë të inflacionit. Në vitin 2018, pensioni mesatar ishte sa 31% e pagës mesatare bruto, ndërsa në 6-mujorin e parë 2023 ky raport arriti në 25%. Përqindja e personave që nuk plotësojnë kriteret për pagesë të plotë po rritet me shpejtësi nga viti në vit. Në qershor 2023, pensionistët me pagesë të pjesshme përbënin 50% të totalit të pensioneve të pleqërisë nga 45% më 2021. Ndërsa pensionet e reja që u lidhën më 2023 ishin 11% më të ulëta se pensioni mesatar. Pensionet e pleqërisë janë 50% më të ulëta se mesatarja rajonale.

Thirrja nga Banka e Shqipërisë
Nga ana tjetër Banka e Shqipërisë i rekomandon qeverisë të nxisë zhvillimin e shtyllave private të pensioneve. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, shprehu pak ditë më parë në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave opinionet e institucionit për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Sejko tha se qëndrueshmëria financiare e skemave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore vijon të jetë një sfidë serioze për financat e shtetit, sidomos në kontekstin e trendeve jo të favorshme demografike dhe të lëvizjes së lirë të forcës punëtore. “Në projektbuxhetin e vitit 2024, këto skema parashikohet të krijojnë një deficit rreth nivelit 3.6% të PBB-së, ose 1.1 pikë përqindjeje më të lartë se deficiti i përgjithshëm buxhetor. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë sugjeron rishikimin periodik të kuadrit ligjor që rregullon skemën e pensioneve, atë të sigurimeve shëndetësore dhe skemat e tjera të sigurimeve sociale. Po ashtu, ne inkurajojmë intensifikimin e përpjekjeve për zhvillimin e shtyllës së dytë e të tretë të sistemit privat të pensioneve, atë të sigurimit të detyrueshëm dhe vullnetar. Këto shtylla të rëndësishme të sistemeve moderne të pensioneve do të kontribuonin në rritjen e përshtatshmërisë së skemave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore me ndryshimet demografike dhe vendosjen e tyre në trajektore të qëndrueshme dhe të përballueshme për buxhetin e shtetit,” tha ai.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Bizneset mund të krijojnë fonde për punonjësit

Hyn në fuqi ligji i ri për pensionet private

“Viktimat” më të mëdha të inflacionit

Pensioni zbret në 25% të pagës mesatare mujore