MENU
klinika

Analiza

Si “iu çorr maska” Hamasit pas 1 muaji lufte…

09.11.2023 - 23:18

Me fillimin e muajit të dytë të luftës, Izraeli ka mbërritur në zemër të Gazës. Por ndërkohë ka një përplasje mes qeverisë Netanyahu dhe aleatit të saj kryesor, SHBA-së, për atë që do të ndodhë pasi të përfundojë lufta. Shtëpia e Bardhë iu përgjigj kryeministrit izraelit, duke thënë se toka është palestineze dhe do të mbetet e tillë. Qeveria izraelite më pas sqaroi se nuk do të ketë një okupim të ri të enklavës: objektivi është të sigurohet që Rripi të bëhet një zonë e çmilitarizuar, por pa qeverisur enklavën. Ndërkohë, Netanyahu përjashton çdo armëpushim. Një apel ka patur edhe nga G7, nga Tokio, duke kërkuar pauza dhe korridore humanitare në Gaza, ose “veprim urgjent për të adresuar përkeqësimin e krizës humanitare”. Por Hamasi, duket se ka plane të tjera. Si asnjëherë më parë gjatë këtij konflikti, shkruajnë mediat italiane, “terroristët kanë hequr maskën”, duke pranuar se dëshirojnë një konflikt të përhershëm, skenar që frikëson gjithë botën.

“Çjerrja e maskës”

Në një intervistë me “New York Times”, anëtari i Byrosë Politike të organizatës palestineze Khalil al-Hayya e bëri të qartë se “qëllimi i Hamasit nuk është të qeverisë Gazën dhe t’i sjellë ujë, rrymë apo diçka të tillë. Kjo betejë nuk ndodhi sepse ne donim karburant apo fuqi punëtore, nuk po përpiqeshim të përmirësonim situatën në Gaza ”. “Shpresa është që gjendja e luftës me Izraelin të bëhet e përhershme në të gjithë kufijtë dhe se bota arabe do të jetë në anën tonë,” shtoi Taher El-Nounou, një konsulent mediatik për lëvizjen. Mbi 10 mijë vdekjet e raportuara nga Hamasi, pra, janë bërë një çmim i pranueshëm dhe i domosdoshëm për të “ndryshuar të gjithë ekuacionin”, për të rikthyer vëmendjen në çështjen palestineze dhe për të siguruar që “askush në rajon të mos jetë më i qetë”. Dy përfaqësuesit e Hamasit pranuan gjithashtu se prisnin “një reagim të madh ndaj një akti të madh”, një referencë për masakrat e 7 tetorit, por “ne duhej t’u tregonim njerëzve se kauza palestineze nuk do të vdiste”.

Synimet e Hamasit

Siç shkruan “Il Giornale”, kjo ishte një deklaratë e sinqertë, që hedh poshtë çdo dyshim për një realitet që shumë e kanë nënvizuar tashmë, por që disa, shumë, vazhdojnë të mos duan ta shohin: Hamasi nuk lufton për lirinë e populli i saj, nuk interesohet fare për civilët dhe nuk dëshiron të vazhdojë negociatat me Izraelin për një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme. “Është një organizatë terroristësh që gjatë viteve i ka përdorur palestinezët si mburoja njerëzore, duke shfrytëzuar gjakun e tyre për të çuar përpara një axhendë politike që përfshin shkatërrimin e shtetit hebre dhe masakrën e hebrenjve”, shkruan “Il Giornale”. Udhëheqësit e lëvizjes e dinin mirë se çfarë i priste, Prandaj, shkruajnë mediat italiane, në të vërtetë, krahasimi me “zgjidhjen përfundimtare” të Hitlerit është i menjëhershëm: diktatori nazist përdori sasi të konsiderueshme njerëzish dhe burimesh, për të vrarë numrin më të madh të hebrenjve në kohën më të shkurtër të mundshme. Hamasi privoi popullsinë nga paratë, infrastrukturën dhe mallrat e nevojshme për të përmirësuar kushtet e jetesës në Rripin e Gazës për t’u armatosur, për të trajnuar dhe për të nisur një sulm që synonte masakrimin e numrit më të madh të qytetarëve izraelitë në vetëm disa orë.

“Kurthi” në Gaza

Sakaq, një teori tjetër nxjerr detaje të reja në dritë për planet e Hamasit. Organizata nuk po lufton forcat izraelite aq ashpër sa mundet, sipas analistit ushtarak të Sky News, Michael Clarke. Clarke sugjeron se grupi militant palestinez mund të jetë duke vendosur një kurth brenda qytetit të Gazës ose duke përdorur tunele për të lëvizur në jug, ku ata presin një sulm. “Kam një ndjenjë se vetëm disa prej tyre janë duke luftuar, dhe shumë prej tyre kanë shkuar në jug dhe janë në pritje të zhvillimit të ngjarjeve”. Sipas Clarke, Hamasi mund të ofronte një rezistencë shumë më të ashpër sesa donte. “Por për disa arsye, nuk mendoj se ata duan ta bëjnë këtë ose po përpiqen t’i fusin izraelitët në qytetin e Gazës dhe t’i çojnë atje përpara se të tregojnë me të vërtetë se çfarë mund të bëjnë,” tha analisti ushtarak.