MENU
klinika

Analiza: Të flasësh apo të heshtësh?

Si po ‘i përgjigjen’ bizneset luftës së Izraelit me Hamasin?

06.11.2023 - 18:45

Ndërsa po rritet numri i të vdekurve shkaku i ofensivës së Izraelit në Gaza, korporatat janë në krizë të komunikimeve me publikun.

Më 7 tetor, grupi i armatosur palestinez Hamas – i shpallur nga Bashkimi Evropian si organizatë terroriste – filloi një sulm ndaj Izraelit nga Rripi i Gazës.

Duke djegur shtëpi dhe qëlluar civilë, Hamasi vrau rreth 1400 izraelitë dhe pretendoi se veprimet e tyre ishin një hakmarrje kundër dhunës së vazhdueshme të izraelitëve ndaj palestinezëve.

Pas publikimit të lajmit për sulmin, një numër kompanish dënuan sulmin e militantëve të grupit, raporton euronews.

Kompania Walt Disney dhuroi dy milionë dollarë (1.9 milion euro) për organizatat humanitare në rajon dhe shprehu zemërimin për “sulmet e tmerrshme terroriste”.

Drejtori i Përgjithshëm i Amazon, Andy Jassy shkroi në platformën X se dhuna kundër civilëve ishte “tronditëse dhe e dhimbshme për t’u parë” ndërsa CEO i Pfizer, Albert Bourla shkroi në LinkedIn se i ishte ” thyer zemra shkaku i mizorive”.

Ndërsa për shumë njerëz, këto shprehje ngushëllimi ishin një përgjigje e natyrshme, disa mbështetës të palestinezëve nuk u pajtuan me këto reagime të korporatave.

Ata u ankuan se ndërsa kompanitë shprehën zemërimin e tyre për veprimet e Hamasit, kështu nuk reaguan për viktimat civile palestineze – një vuajtje që kishte kaluar relativisht pa u vënë re në krahasim me mizoritë e 7 tetorit.

Shumë shpejtë u përfshin në polemikat e korporatave edhe Starbucks dhe McDonald’s.

Kur Izraeli filloi sulmet hakmarrëse në Gaza, zinxhiri i ushqimit njoftoi se po jepte mijëra ushqime falas për personelin e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF).

Ndërsa Izraeli thotë se trupat e tyre po mundohen të zhdukin Hamasin në Gaza, grupet pro-palestineze pretenduan se duke dhënë ushqime falas, McDonald’s po mbështet spastrimin etnik të palestinezëve.

Sa i përket Starbucks, ata shkaktuan mosmarrëveshje kur sindikata e punëtorëve të tyre ndau një mesazh në platformën X, ku shkruante “Solidaritet me Palestinën!”

Pas mesazhit, pati një reagim të shpejtë nga disa grupe hebrenje, por kur Starbucks vendosi të padiste sindikatat, kompania shkaktoi një reagim të fuqishëm të organizatave pro-palestineze.

Të flasësh apo të heshtësh?
Në epokën e mediave sociale, markat nuk kanë mundur t’iu shmangen kritikave të publikut.

“Përgjegjësia shoqërore e korporatës” është një term që ekziston prej viteve 1950, por ideja kishte të bënte më shumë me filantropinë dhe jo për çështje të tjera.

Shumë biznese më parë besonin se nuk ishte e nevojshme (ose veçanërisht e mençur) që ata të jepnin opinionet e tyre për çështjet sociale si aborti, religjioni, raca apo të drejtat e LGBTQ+.

Megjithatë, ndërsa mediat sociale u zhvilluan shumë, ajo solli me vete një ndryshim të madh kulturor.

Ndërsa tani është më e lehtë të debatosh dhe të ndash opinione, korporatat janë nën presion më të madh që të flasin për padrejtësitë, madje edhe për ato që nuk i përfshijnë drejtpërdrejt ato.

Në disa raste, kjo mund të jetë më shumë një fitore sesa një barrë për kompanitë, siç ishte evidente pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.

Për shkak se bota perëndimore ka një konsensus të përgjithshëm se kush është pushtuesi, markat mund të shfaqin qëndrimin e tyre pa menduar se mund t’iu rrezikohet reputacioni.

Konsumatorët panë që flamujt ukrainas të shfaqeshin nëpër ueb-faqet dhe dyqanet komerciale, ku një numër biznesesh nisën fushata solidariteti, si platforma e qiradhënies Airbnb, e cila filloi të ofronte strehim falas për refugjatët ukrainas.

Thënë ndryshe, kur opinioni publik është më i ndarë, aktivizimi i korporatës mund të bëhet më i ndërlikuar.

An-Sofie Claeys, asistent profesor në Komunikimin e Korporatës në Universitetin e Gentit në Belgjikë, u mëson studentëve të saj se si të menaxhojnë PR-në (marrëdhëniet me publikun) të kompanisë në situata krize.

Duke folur për luftën e Izraelit me Hamasin, ajo i tha Euronews se “nuk mendoj se ka një zgjidhje të qartë këtu për të këshilluar kompanitë”.

“Një gjë që ata duhet të kenë parasysh është të jenë këmbëngulës”, shtoi ajo.

“Nëse nuk keni folur kurrë më parë për çështje sociale dhe nëse kompania juaj është një kompani B2B, […] atëherë unë mendoj se ka të ngjarë të heshtni”, tha Claeys. “Por, nëse prodhoni mallra për konsumatorët, nëse jeni një markë që ka mbajtur një qëndrim më parë për çështjet shoqërore […] atëherë mund të duket mjaft hipokrite të mos marrësh një qëndrim tani”, shtoi Claeys.

Pushteti dhe populli
Përpjekja për të përcaktuar se sa mbështetje ka ofensiva izraelite nga qytetarët e zakonshëm nuk është detyrë e lehtë.

Sipas një sondazhi të botuar më 27 tetor në gazetën izraelite Maariv, pothuajse gjysma e izraelitëve duan të frenojnë pushtimin e Gazës, megjithëse opinionet po ndryshojnë vazhdimisht.

Në Britani të Madhe, një sondazh i IPSOS tregon se publiku britanik dëshiron që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar të jetë neutrale në konflikt (37 për qind) ose të mos përfshihet fare (16 për qind) sesa të mbështesin Izraelin (13 për qind) ose palestinezët (12 për qind).

Ndërsa numri i të vdekurve në Gaza vazhdon të rritet, të dhënat mund të ndikojnë gjithashtu në konkluzionet e IPSOS.

Në një masë të caktuar, reagimet e ndara të publikut mund të shihen në mënyrë të barabartë edhe në mesin e organeve politike në Perëndim.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e kanë cilësuar dukshëm pushtimin e Gazës nga Izraeli si një akt vetëmbrojtjeje, por një numër liderësh, si Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, kanë kritikuar sulmin e Izraelit.

Duke marrë parasysh divergjencën në këto opinione, është e lehtë të kuptohet pse komunikimi i kompanisë mund të bëhet i vështirë në një kohë si kjo.

Duke zgjedhur të flasin për luftën e Izraelit me Hamasin, markat natyrisht po ballafaqohen me kritikat e të dyja palëve.

Antisemitizmi dhe ligjshmëria e bojkotimit

Gjatë përgatitjes së këtij artikulli, Euronews iu drejtua grupeve pro-izraelite dhe pro-palestineze, të cilët po thirrin për bojkotimin e bizneseve për shkak të konfliktit.

Deri në kohën e publikimit, grupet pro-izraelite nuk pranuan të komentonin, por lëvizja e udhëhequr nga palestinezët – Boycott, Divestment dhe Sanctions (BDS) – iu përgjigj pyetjeve.

Grupi, aktiv që nga viti 2005, fokus ka bojkotimin e një numri të vogël të kompanive që beson se janë bashkëpunëtorë në shkeljet e të drejtave palestineze.

Këto përfshijnë kompanitë e teknologjisë HP dhe Siemens, shitësin me pakicë Carrefour, firmën e sigurimeve AXA dhe kompaninë e veshjeve sportive Puma.

“Të gjitha përpjekjet paqësore popullore, duke përfshirë bojkotimin dhe shitjen, për t’i mbajtur këto kompani përgjegjëse për mbështetjen e tyre ndaj krimeve të Izraelit kundër palestinezëve janë të justifikuara”, tha BDS për Euronews.

Grupi theksoi se “bojkotet janë efektive”, duke theksuar se veprimet e tyre “kanë bërë që tashmë kompani të mëdha shumëkombëshe si Veolia, Orange dhe General Mills të tërhiqen nga vendbanimet ilegale izraelite”.

Grupi ka ndezur dukshëm debatin rreth ligjshmërisë së bojkotit, si dhe të drejtës për fjalën e lirë.

Në vitin 2019, parlamenti gjerman pohoi që BDS po përdor metoda antisemite për të arritur qëllimet e saja, ngjashëm mendojnë edhe disa politikanë në Francë dhe Britani të Madhe.

Në SHBA, disa shtete kanë miratuar projektligje për të dekurajuar bojkotimet anti-izraelite, por shumë prej këtyre nismave janë sfiduar ligjërisht në bazë të fjalës së lirë, me bojkotuesit që argumentojnë se duhet të lejohen të kritikojnë shtetin izraelit.

Në fund të fundit, debati mbi BDS hedh dritë mbi vështirësitë rreth debatit për luftën mes Hamasit dhe Izraelit, pasi duke dënuar veprimet e ofensivës së kryeministrit izraelit, Benyamin Netanyahut, kompanitë po e bëjnë veten të pambrojtur ndaj akuzave për antisemitizëm.

Për shkak të tensioneve në rritje për konfliktin, është e qartë se sulmet verbale dhe fizike kundër qytetarëve hebrenj janë rritur me ritme alarmante që nga 7 tetori.

Në Dagestan, me shumicë myslimane, qindra burra sulmuan një aeroport duke kërkuar pasagjerë izraelitë dhe më 20 tetor, Londra vuri në dukje një rritje prej 1353 për qind të veprave antisemite, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Përderisa frika rreth antisemitizmit është plotësisht legjitime, ekziston një problem i qartë me individët që ngatërrojnë kritikat ndaj shtetit izraelit dhe dënimin e popullit hebre.

Në disa qarqe, ata që shpresojnë të shuajnë zërat palestinezë kanë mjegulluar gjithashtu linjat midis mbështetjes për Hamasin dhe mbështetjes për kauzën e Palestinës, duke i quajtur ata që kundërshtojnë ofensivën izraelite si simpatizues të terroristëve.

Pra, me gjuhën e ngarkuar deri në një pikë urrejtje, është e vështirë të shihet se si kompanitë mund të reagojnë ndaj luftës në një mënyrë që nuk do të dëmtojë popullaritetin e tyre para konsumatorëve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Pse është lajm i keq për ekonomitë globale?

Rritja e dollarit amerikan shkakton probleme në mbarë botën

Përplasja pas arrestimit të pastorit

Pesë shpjegime mbi krizën mes Uashingtonit dhe Ankarasë


BSH: Vrulli i shtrenjtimeve ka ndalur

Kur do ulen çmimet e apartamenteve?

328 mln euro të ardhura më shumë se shpenzimet

Paketë e re mbështetjeje për shtresat në nevojë?

Një problem shqetësues po shfaqet në gjithë Europën)

Korrupsioni, Kosova shumë më mirë se Serbia dhe Shqipëria