Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner ka komentuar disa nga situatat më të nxehta politike në vend.
Bergner u ndal te kaosi në Kuvend, ku tha se po pengohet puna në Parlament, teksa shtoi se ka mënyra të tjera më të drejta për të kundërshtuar vendimet e qeverisë.
Lidhur me marrëveshjen për refugjatët mes Shqipërisë dhe Italisë, ai tha se të dyja vendet kanë bërë çmos për të respektuar rregullat kombëtare dhe ndërkombëtare.
Intervista e plotë:
Sipas mendimit tuaj, marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë, a është bërë konsultim me BE në lidhje me emigrantët që do të vijnë?
Bergner: Mendoj se konsultimet po vazhdojnë. Ne kemi marrë dokumentet dhe memorandumin e mirëkuptimit pak ditë më parë dhe është pak herët për të dhënë komentet dhe mendimet e mia në lidhje me detajet. Por e di shumë mirë që si Shqipëria po ashtu dhe Italia kanë bërë çmos për të respektuar rregullat kombëtare dhe ndërkombëtare.
Situata në parlamentin Shqiptar është bërë pak e rrëmujshme. Si e shihni ju këtë?
Bergner: Sinqerisht do të shpresoja të shihja shumë shpejt opozita më të bashkuara që të luajnë rolin e tyre si kontrollues të qeverisë në një mënyrë më të mirë.
Mendoj se edhe qeveria mund të ndihmojë në respektimin e të drejtave, gjithashtu të ketë një balancim mes të drejtave të opozitës dhe të qeverisë.
Sali Berisha ka thënë se shumë shpejt do bëhen protesta të mëdha. A mendoni se është mirë për Shqipërinë?
Bergner: Mendoj se nëse gjërat çohen deri në protestë nuk do të shkojë mirë pasi gjithë përpjekjet duhet të shkojnë në formulimin e rregullave për qeverisjen. Mendoj se duhet të bëjnë përpjekje për të ofruar propozimet e tyre. Deri më tani shoh më shumë energji duke penguar parlamentin. Por mendoj se ka mënyra të tjera më të drejta për të kundërshtuar diçka që është zgjedhur nga qeverisja.