MENU
klinika

“I vetëm në mes të shkretëtirës”

Spartak Ngjela: Si Sali Berisha po rëndon pozitën e tij përballë SPAK!

13.11.2023 - 18:37

Ngjela shprehet se Berisha tashmë është një njeri i vetëm në shkretëtirë.

Avokati Spartak Ngjela është shprehur se Sali Berisha gabon që nuk paraqitet në gjykatë dhe refuzon të njihet me masën e sigurisë ‘detyrim me paraqitje’ dhe ‘ndalim të udhëtimit jashtë’ në kuadër të hetimeve për aferën e privatizimit të ish klubit Partizani.

“Berisha është mirë të shkojë. Ai nuk e kupton se po nuk shkoi nuk bën dot as mbrojtje. Siç duket nuk e bindin avokatët por të presim 20 nëntorin. Ky nuk di të mbrohet. Mbrohet si Enver Hoxha”, tha Ngjela.

Ngjela vlerëson se SPAK ka një rol të rëndësishëm për të luftuar pandëshkueshmërinë.

“Ata që drejtuan vendin gjatë këtyre 30 viteve kanë bërë dhe korrupsionin. Nuk është jetim korrupsioni sot. Kanë para të mëdha duhet t’i justifikojnë. SPAK për këtë është ngritur. Ai po bën punën e vet, por deri tani nuk është në rangje të larta. Vetëm Saliu është rang i lartë”, shtoi Ngjela.

Por a ka mbështetje popullore Sali Berisha?

Ngjela analizon se Berisha tashmë është një njeri i vetëm në shkretëtirë.

“Berisha nuk ka më mbështetje popullore. Çdo të thotë të hedhësh karriget. Si mund të ndalosh punët e një parlamenti. Është krim. Por këtu je në Shqipëri, çdo të ndodhë nuk e di. Takimet në rrethe janë të ftohta, pa potencë. Nuk kanë forcë. Kush e mbështet? Po të jetë forcë do të thotë të jenë 200 – 300 mijë veta në Tiranë por ai është i vetëm në shkretëtirë por nuk e kupton dot. Njerëzit nën akuzë kanë dhe shqetësime të karakterit mendor, por të shohim ngjarjet. SPAK nuk e drejtojnë shqiptarët por ndërkombëtarët e nivelit të lartë”, përfundoi avokati Ngjela.

Prej 21 tetorit, Sali Berisha i ka shmangur kontaktet me oficerët e policisë gjyqësore për të marrë prej tyre dijeninë për caktimin e masës së sigurisë. Në 26 tetor GJKKO pranoi kërkesat e dy prokurorëve të SPAK-ut Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai dhe vlerësoi të ligjshme masën ndaj Sali Berishës, në mungesë, pasi u përfaqësua nga një avokat kryesisht pasi avokatët e tij me prokurë të posaçmem braktisën seancën.