Babai i një prej të miturve që po drejtonte automjetin që u përfshi në aksidentin e rëndë në Sarandë është arrestuar nga policia. Në pranga ka përfunduar 41-vjeçari Orest Kalo, banues në Delvinë.
Ndërkohë adoleshentet e aksidentuar mbrëmjen e kaluar në aksin rrugor Stjar – Bajkaj, sipas bluzave të bardha të spitalit Sarandë janë nisur per mjekim të specializuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Frenki Hamiti, 13 vjeç dhe Orges Kalo 14 vjeç u dërguan me ambulancë në mesnate. 14 vjeçari Arjol Dervishaj, djali që u aksidentua më rëndë, është transportuar mëngjesin e së mërkurës me helikopter drejt Spitalit të Traumës. Automjeti me të cilin po udhëtonin adoleshentët doli nga rruga dhe përfunduan në përrua.
NJOFTIMI I POLICISË:
Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një aksident rrugor në afërsi të fshatit Bajkaj, si pasojë e të cilit u dëmtuan 3 shtetas të mitur (drejtuesi i automjetit dhe 2 pasagjerët, të cilët vijojnë të jenë në kujdesin e mjekëve), policia bën me dije se:
Në përfundim të veprimeve hetimore për këtë rast, specialistët e Qarkullimit Rrugor të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan shtetasin Orest Kalo, 41 vjeç, banues në Delvinë, pasi i ka dhënë për ta drejtuar, djalit të tij të mitur, 14 vjeç, automjetin që u përfshi në këtë aksident rrugor.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori për shtetasin e mitur, drejtues të automjetit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.