Ish deputeti i PD-së, Belind Këlliçi deklaroi se aksionit të opozitës do të duhet ti bashkohen edhe aleatët në mënyrë që ajo të ketë sukses.
Në një intervistë për emisonin “Debat” në “A2 CNN”, Këlliçi përkrahu deklaratën e fundit të Sali Berishës për mosbindje civile, por shtoi se kjo vendimmarrje i takon Kuvendit Kombëtar të së shtunës, si organi më i lartë vendimmarrës.
“Për situatën aktuale, do të duhet që edhe kryesia e PD dhe Këshilli Kombëtar dhe aleatët t’i përgjigjen të njëjtit aksion politik që po zhvillohet në parlament. Kjo në rrugë, në qytete të Shqipërisë, në pika nevralgjike në akse kryesore ,por është çështje që duhet të ketë vendimmarrje të fortë politike. Kjo pritet të shihet të shtunën. Është një propozim që duhet të formalizohet në Kuvendin Kombëtar që është organi më i lartë vendimmarrës i PD. Do të doja të kishte debate e propozime të tjera që të shtrohet për diskutim rruga më e mirë që duhet të ndjekim”, tha ai.
Sipas Këlliçit, ky vendim vjen pas mohimit nga mazhoranca të komisioneve hetimore parlamentare dhe debatit më të fundit për ndryshimet në ligjin e komisioneve hetimore. Ai foli edhe për vendimet e tjera që pritet të merren në kuvendin e 2 dhjetorit, ku bie në sy aksioni i opozitës nga janari.
“Ka një debat shumë të fortë edhe për projektligjin për komisionet hetimore parlamentare. 8 kërkesa për çështjet më të ndjeshme që prekin financat e qytetarëve dhe sipas mazhorancës ligji aktual ka nevojë për përmirësime. Do të ketë disa risi në raport me amendimet që do t’i bëhen statutit të PD. Janë hedhur disa propozime. Do të ketë një rezolutë që do kalojë në Kuvend. Në kuvendet e mëparshme kemi pasur rezoluta, ku spikat dënimi i përjetshëm për djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve. Do të ketë disa folës. Mbi të gjitha që përveç një pike që ta kërkon neni për votëbesimin e kryetarit në rast të humbjes së zgjedhjeve lokale do të diskutohet aksioni politik që do të ndjekë PD nga janari e në vijim”, u shpreh Këlliçi.