Aldo Mustafa, i cili një muaj më parë u arrestua nga policia e Durrësit për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve”, do vijojë të qëndrojë në burg.
Ky ka qenë vendimi i gjykatës së Apelit Tiranë, e cila vlerësoi të ligjshëm arrestimin e Aldo Mustafës.
Mustafa, është një personazh i njohur i botës së krimit në Durrës, i cili i përket një grupimi kriminal në zonën e Shijakut dhe Durrësit.
Aldo Mustafa njihet në Durrës si pjesë e grupit të Landit Muharremit (Rrumi), dhe pak kohë më parë i shpëtoi një atentati me tritol që ishte vendosur në makinën e tij.
Kush është Aldi Mustafa?
Aldi Mustafa, 37-vjeçar, njihet si një person me precedentë penal. Ai është arrestuar më 30 gusht të 2021 me dy të tjerë, pasi po planifikonin një vrasje. Aldi Mustafa rezulton i dënuar më parë me 10 vite burg në Gjermani, për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Ndërkohë më 30 dhjetor të vitit të kaluar, me vendim të gjykatës i është shuar masa e arrestit me kërkesë të tij. Ai ishte dënuar me 2 vjet burgim pas arrestimit në gusht 2021 për mosbindje të urdhrit të policisë, armëmbajtje pa leje dhe drejtim të parregullt të mjetit.
Mustafa më herët ka qenë anëtar i një bande të njohur në Durrës, ndërsa kohët e fundit ka pasur lidhje me Aleksandër Lahon i njohur si ‘Rrumi’, një personazh i përfolur në ngjarje kriminale, siç ishte dhe atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja.