MENU
klinika

"Më lini të bëj detyrën time"

U mor në pyetje nga SPAK, Rakip Suli: Shyqyr që erdhi kjo ditë

06.11.2023 - 13:18

Kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli është paraqitur ditën e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në lidhje me akuzën e korrupsionit dhe shkeljes së barazisë në tendera.

Pas daljes nga SPAK, Suli është ndalur në një prononcim për mediat. Ai tha se duhet ta lëmë drejtësinë që të bëjë punën e vetë se po jep shpresë të shqiptarët. Suli shtoi se do të shkonte në SPAK sa herë të thërritej.

“Ditë e bukur sot. Të lëmë drejtësinë që të bëjë punën e vetë se po jep shpresë të shqiptarët. Fati që kjo drejtësi do të japë llogari për qytetarët. Më lini të bëj detyrën time, në respekt të qytetarëve”, tha Suli.

Pas kallëzimit për veprat penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, SPAK regjistroi procedim penal për bashkinë e drejtuar nga Suli.

Deri tani nga 10 kallëzues janë thirrur 4 prej tyre, ndërsa 6 të tjerë do pyeten këtë javë. Banorët e Kamzës u paraqitën të martën e kaluar (24 Tetor) në ambientet e Prokurorisë së Posaçme për të dhënë deklarimet e tyre për kallëzimin e depozituar në SPAK pak javë më parë ndaj kryebashkiakut.

Në emër të banorëve të Kamzës, më 11 shtator Partia e Lirisë dhe këshilltarët e koalicionit Bashkë Fitojmë në Kamëz, kallëzuan penalisht në SPAK, kryebashkiakun e Kamzës Rakip Suli. Duke iu referuar raportit të KLSH-së pas kontrollit në këtë bashki, por edhe njoftimit dhe zhvillimit të mbledhjeve të këshillit online, ata kërkuan ndjekje penale për të zgjedhurin socialist për disa akuza si shpërdorim detyre, korrupsion dhe shkelje e barazisë në tendera.