MENU
klinika

Analiza e Eurostat

Veriu, numër të lartë vdekjesh nga aksidentet/ Eksperti: Problematik për shkak të infrastrukturës

17.11.2023 - 19:47

Një analizë e fundit nga Eurostat ka treguar se rrugët në veri të Shqipërisë janë ndër më të rrezikshmet në Evropë sa i përket personave që humbin jetën çdo vit. Të dhënat e vitit 2021 tregojnë se 94 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve rrugore për 1 milionë banorë në veri të vendit.

Kjo është një shifër shumë herë më e lartë se mesatarja prej 45 viktimash për 1 milionë banorë në të gjithë BE-në. Eksperti i sigurisë rrugore, Islam Qibini, theksoi në një intervistë për “Newsline” se aksidentet ndodhin për shkak të mosrespektimit të rregullave por edhe prej infrastrukturës.

Ai thotë se rrugët në veri janë të ngushta, duke e bërë parakalimin të vështirë. Ai gjithashtu përmendi edhe një tjetër faktor, mosrespektimin e rregullave të qarkullimit, sidomos nga të rinjtë.

“Aksi Lezhë-Milot është një aks problematik për shkak të infrastrukturës rrugore. Ka pasur shpeshherë aksidente automobilistike dhe kryesisht janë prej parakalimeve të gabuara dhe për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara. Duke shtuar këtu edhe infrastrukturën, sidomos në kohën e reshjeve, rrugët përmbajnë vatra uji që shpeshherë bëhen problematike për drejtuesit e mjeteve.

Edhe moszbatimi i rregullave të qarkullimit nga drejtuesit. Po të shikosh infrastrukturën rrugore në veri, kemi segmente rrugore, rrugë interurbane, dytësore. Sidomos nga Fushë-Kruja në Mamurras kemi një segment rrugor, ku gjerësia e karrexhatës është e ngushtë dhe nuk lejon parakalimin e mjeteve. Kemi gjithashtu fluks më të madh të mjeteve në këtë segment rrugor.

Kemi qarkullim të shtuar, fluks të shtuar në akset kryesore në veri. Gjerësia e karrexhatës aty është deri në deri në 8 metra, ku një korsi është deri në 3.5 metra. Kjo nuk lejon mundësinë për shkak të fluksit e parakalimeve dhe kryesisht aksidentet në këto segmente rrugore ndodhin për shkak të parakalimeve të gabuara.

Shumë drejtues automjetesh, sidomos moshat e reja, janë një kategori drejtuesish, të cilët i shpërfillin rregullat dhe zbatimin e tyre pavarësisht nga sinjalistika vertikale që kemi. Në këto rrugë interurbane dytësore, shpejtësia maksimale është deri në 80 km në orë por shumë drejtues nuk i zbatojnë rregullat. Shpërfillin sinjalistikën vertikale dhe horizontale”, u shpreh eksperti./ABC News