MENU
klinika

Pritshmëritë mbeten të larta

Vitin e ardhshëm bujqësia do të ketë më pak para në dispozicion

04.11.2023 - 15:24

Të jesh i madh, jo gjithmonë do të thotë se ke avantazh. Shembulli më i mirë në vend është bujqësia. Kontributi i saj në ekonomi është gati 22 për qind e totalit, por vitin e ardhshëm sektori do të marrë vetëm 1.9 për qind të Buxhetit të Shtetit. Nga 735.9 miliardë lekë në total, për të cilësuarin si “sektor parësor” do të ndahen më pak se 14.2 miliardë lekë.

“Kam shkruar një artikull në vitet 2000 ku thosha se bujqësia është si puna e një lope që milet tri herë në ditë dhe ushqehet vetëm një herë. Kjo lopë, në këtë rast bujqësia është e destinuar të vdesë”, thotë Zef Gjeta, ekspert për bujqësinë.

Sikur të mos mjaftonte që merr më pak se 2 për qind nga “torta e buxhetit”, vitin e ardhshëm bujqësia do të ketë më pak para në dispozicion vitin e ardhshëm. Nga 15.6 miliardë lekë këtë vit, fondet për sektorin me të cilin punon dhe jeton gjysma e popullsisë përllogariten në më pak se 14.2 miliardë lekë apo rreth 134 milionë euro.

“Duhet ta themi hapur. Të gjitha qeverisjet në këto 30 vite kanë qenë neglizhente për sa i përket politikave me fshatin. Mentaliteti i qeverive ka qenë se fshatari mori tokën e tij e tani le t’ia dalë vetë. Kjo ka qenë fatale për sektorin e bujqësisë”, thotë Ndoc Faslia, ekspert për bujqësinë.

Shkurtimet e fondeve kanë ndodhur në drejtim të prodhimit dhe zhvillimit rural. Nga 10 miliardë lekë këtë vit buxheti ulet në 7.2 miliardë lekë në 2024-n. Ndërkohë ekspertë të fushës tregojnë edhe se sa para duhet të ketë në dispozicion sektori për të ecur përpara.

“Unë them që minimalisht bujqësia duhet të ketë në dispozicion 800 milionë euro. Për të kapur ritmin e vendeve të tjera të Rajonit. Më tej, në Europë jemi larg konkurrencës”, shprehet Ilir Pilku, ekspert për sektorin bujqësor.

Me gjithë fondet e cunguara, nga bujqësia pritet shumë vitin e ardhëm. Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikon që eksportet bujqësore të arrijnë në gati 51 miliardë lekë, duke punësuar rreth 568 mijë vetë. Gjithashtu, pritshmëritë janë që sektori të zgjerohet me 2.4 për qind gjatë 2024-s.