Nuk ka lehtësi dënimi për autorët e vrasjes së Gentin dhe Nezir Beqirit në Elbasan. Gjykata e Apelit të Posaëm ka lënë në fuqi dënimin e Shkallës së Parë, duke dënuar me burgim të përjetshëm, Ardjan Capjan, Florenc Çapjan dhe Olsi Lekun për ngjarjen e rëndë të vitit 2012. Apeli dënoi gjithashtu me 15 vite burg bashkëpunëtorin e drejtësisë Ervis Bardhin, ndërsa nga 25 vite burgim dha për Klaidi Dokoli dhe Etien Çani.
Kujtojmë se Ardian Çapja u arrestua mëngjesin e 29 marsit të vitit 2021, ndërkohë Florenca Çapja është ende në kërkim pasi akuzohet si porositës i vrasjes së dy personave, babë e bir.
Vetë Ardian Çapja ka kërkuar të shpallet i pafajshëm. Ai ka ngritur pretendimet se procesi ndaj tij për vrasjen Gentian e Nezir Beqirit në gusht të 2012, është montuar nga Prokuroria e Elbasanit. Sipas tij, prokurori Ritvan Suka që po heton ngjarjen e shkurtit të 2016, ku mbetën të vrarë dy familjar të Çapjas dhe plagosjen e 8 të tjerëve, nuk po e zbardh sepse është përfshirë politika.
“Janë tre autorë që është provuar se janë përfshirë në masakrën ndaj familjes time e po ashtu edhe politika. Ata që donin të mbanin pushtetin dhe ato që donin të siguronin vota. Edhe avokati i ndjerë Ravik Gurra ka kërkuar informacion pranë Prokurorisë së Elbasanit dhe ka vënë dispozicion materiale për zbardhjen e kësaj ngjarje, dhe ka dyshime se ai është vrarë për informacioneve që dispononte”, mësohet të jetë shprehur ai.
Si ndodhi vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit?
Ata u vranë në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri allias Ardian Meta ishte në ‘arrest shtëpie’ dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë, pasi akuzohej si autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005, i cili dyshohet se u pagua nga fisi i Çelajve.
Vrasja e Gentian Beqirit, është kryer në ambientet e brendshme të banesës së tij, që ndodhet në lagjen “Sporti i vjetër” në Elbasan, ku teksa qëndronte i shtrirë në krevat pasi ishte i paralizuar është qëlluar për vdekje me 7 plumba të një pistolete me silenciator dhe më pas mbytën edhe babanë e tij Nezir Beqiri.
Kjo ndodhi ndërkohë që jashtë derës së shtëpisë ruanin dy efektivat e policisë, të cilët u akuzuan më pas për “Shpërdorim detyre”.
Sipas dosjes urdhri dhe një financim prej 50 mijë euro është dhënë nga dy anëtarët e familjes Çapja, ndërsa ekzekutorët do të ishin Ervis Bardhi, shok i viktimës Gentian Beqiri, Olsi alias Jorgo Leka, ndërsa vëzhgues Etien Cani dhe Klajdi Dokoli, shokë të viktimës. Në rrëfimin e bashkëpuntorit të drejtësisë Ervis Bardhi, tregohet se ditën se kur do kryhej krimi, Ardjan dhe Florenc Çapja, janë larguar në Maqedoni një ditë përpara, me qëllim pasjen e një alibie. Madje për ta përforcuar akoma më shumë këtë alibi, me vete Çapjat kanë marë dhe një gazetar të Elbasanit.
Nga hetimi, rezulton se në mbrëmjen e 14 gushtit 2012, Olsi Leka i ka komunikuar Ervis Bardhit, vendimit se ditën e nesërme do ekzekutonin Gentian Beqirin. Plani ishte kurdisur në mënyrë të detajuar, pasi Çapjat u kishin dhënë garanci se nuk do u ndodhte asnjë gjë, për shkak se kishin marë informacion të detajuar se kush ishte prokuror i gatshëm, oficer e deri tek gjyqtar i gatshëm atë ditë. Mëngjesin e 15 gushtit, Olsi Leka, ka pasur me vete një sasi lënde narkotike, si edhe dy paruke, njëra me ngjyrë të zezë kurse tjetra e zezë dhe me fije të bardha. Ndërsa Ervis Bardhi ka pasur në kokë një kapelë ngjyrë gri dhe të vëna një palë syze të zeza.
“…Kur kanë qenë duke kaluar në vendin e quajtur “fusha e Loparit”, Olsi ka ndaluar mjetin dhe shtetasi Ervis Bardhi ka zbritur nga mjeti dhe ka shkuar te një kjoskë, ku ka blerë një shishe me verë.
Më pas kanë vazhduar rrugën dhe pasi kanë dalë në afërsi të bashkisë, janë futur në një rrugicë e cila të çon në afërsi të banesës së shtetasit Gentjan Beqirit…”-thuhet në dokumentat e prokurorisë. Teksa kanë shkuar afër banesës dhe kanë vënë re se nëna e Gentjanit kishte dalë jashtë. Olsi ka marrë pistoletën, e ka futur në brez dhe të dy kanë vënë paruket në kokë. Të dy së bashku janë larguar nga mjeti dhe kur janë afruar pranë sheshpushimit të pallatit ku banonte Gentjan Beqiri, Olsi i ka thënë Ervisit: “Mos e vrit mendjen”.
Në këtë moment, shtetasi Ervis Bardhi i ka marrë Olsit pistoletën që mbante në brez. Kur janë afruar pranë pallatit, ata kanë vënë re se njëri prej punonjësve të policisë ishte brenda në mjetin tip “Golf”. Në momentin që kanë qenë duke u futur te hyrja e pallatit, ata kanë vënë re se babai i Gentjan Beqiri, Neziri, ka qenë në ballkonin e sheshpushimit mes katit të pestë dhe të katërt. Ervis Bardhi dhe Olsi Leka, në momentin që kanë hipur në katin e tretë të pallatit, kanë hequr paruket dhe i kanë lënë aty dhe më pas janë ngjitur për te shtëpia e Gentjanit.
Kur kanë kaluar te sheshpushimi mes katit të katërt dhe të pestë, ata kanë folur me Nezir Beqiri dhe janë ngjitur për te shtëpia e Gentjanit. Kur janë afruar te dera, kanë vënë re se ajo ishte e hapur. Në këtë moment, Olsi Leka është kthyer duke zbritur poshtë në sheshpushim dhe ka marrë babanë e Gentjanit duke e ngjitur lart. Sapo janë futur brenda, Ervis Bardhi ka shkuar në drejtim të dhomës së Gentjanit, ku ka vënë re se ai ishte i shtrirë në një dyshek të vendosur në tokë dhe ishte në gjumë. Ervis Bardhi, menjëherë ka nxjerrë nga brezi armën pistoletë me silenciator dhe ka qëlluar në drejtim të Gentjan Beqiri, i cili si pasojë e zhurmës kur ata kanë hyrë është ngritur në të ndenjura.
Plumbi i parë i shkrepur nga arma, e cila mbahej nga Ervis Bardhi e ka goditur Gentjanin në faqe dhe pistoleta ka ngecur. Pas tërheqjes përsëri të këmbëzës, Ervis Bardhi, e ka qëlluar edhe tri herë të tjera Gentjanin në kokë, duke e lënë të vdekur. Në momentin që Ervis Bardhi ka qëlluar në drejtim të viktimës Gentjan Beqiri, Olsi Leka ka qenë pas tij së bashku me babanë e Gentjanit, Nezir Beqiri.
Ky i fundit, kur ka parë veprimet e tyre ka filluar t’u bërtasë: “…Ç’farë po bëni…?”. Në këtë kohë Olsi Leka, ka qëlluar me grusht në fytyrë Nezir Beqirin, i cili ka rënë në tokë. Në kohën që Neziri ndodhej i rrëzuar në tokë, Olsi Leka, ka filluar ta qëllojë me shqelma në gjoks. Pasi e ka qëlluar disa herë, Olsi ka shkuar në dhomën e ndenjes, ka marrë një jastëk dhe ia ka vendosur Nezir Beqiri në kokë me qëllim që ai të vdiste.
Nga veprimet e shtetasit Olsi Leka, shtetasi Nezir Beqiri ka vdekur. Pas këtij krimi të dyfishtë, Ervis Bardhi dhe Olsi Leka kanë dalë nga banesa e Gentjan Beqirit dhe Nezir Beqirit. Kur kanë zbritur në katin e tretë të pallatit, ata kanë marrë paruket dhe pasi i kanë vënë në kokë, kanë dalë nga hyrja e pallatit për në drejtimin e makinës, të cilën e kishin parkuar në rrugicën afër dhe janë larguar në zonën e “Fushë-Mbretit”.