MENU
klinika

"Kanë nisur hetimet për rastin"

Vrasjet në Prishtinë, Prokuroria: Autori në arrati

30.11.2023 - 11:49

Dy vrasje të rënda kanë ndodhur një natë më parë (29 nëntor) në Prishtinë, ku ka mbetur e vrarë gruaja e Naim Murselit, këshilltarit të ish-presidentit Behgjet Pacolli, dhe në një ngjarje tjetër dhëndri dyshohet se ka vrarë me thikë babain e gruas së tij.

Lidhur me dy ngjarjet ka reaguar dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës, e cila një deklaratë për Express është shprehur se për rastin ku e vrarë mbeti gruaja e Naim Murselit, po angazhohen në zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit, duke mos treguar nëse është identifikuar i dyshuari.

Ndërsa për rastin ku dyshohet se dhëndri vrau vjehrrin, Prokuroria ka treguar se vrasja dyshohet se është kryer me thikë dhe se i dyshuari është identifikuar, por ndodhet në arrati.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë, viktima ka qenë në veturë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, kur një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe pastaj ka qëlluar me armë zjarri. Ky rast është kualifikuar si “Grabitje me pasoja të vrasjes”.

Deklarata e Prokurorisë

“GRABITJE ME PASOJA TË VRASJES – Rr. Dlip Alshiq, Prishtinë 29.11.2023 –20:26. Raportohet se viktima femër kosovare, derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje. Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, dëshmitari mashkull kosovar i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre. Njësit relevante policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, ka thënë vetëm se Prokurori i Shtetit në koordinim me njësitë relevante janë të angazhuar në ndriçimin e të gjitha rrethanave të këtij rasti.

Ulaj ka thënë se nga informatat e deri tanishme dyshohet për “grabitje me pasoja vdekjeje”.

“Lidhur me rastin i cili ka ndodhur në Rr. “Dalip Alshiqi” Prishtinë, ju njoftojmë se nga informatat e deri tanishme dyshohet për grabitje me pasoja vdekjeje, ku nga nata kritike e në vazhdim, Prokurori i Shtetit në koordinim me njësitë relevante janë të angazhuar në ndriçimin e të gjitha rrethanave të këtij rasti. Me urdhër të prokurorit trupi i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore”,

Vrasja tjetër ka ndodhur rreth një orë më vonë, në rrugën “Ali Vitia”, ku dhëndrri dyshohet se ka vrarë me thikë babain e gruas së tij.

“VRASJE – Rr. Ali Vitia, Prishtinë 29.11.2023 – 21:30. Dyshohet se pas një mosmarrëveshje, i dyshuari mashkull kosovar ka sulmuar-therur me thikë babanë e bashkëshortes së tij (vjehrrin), viktimën mashkull kosovar i cili duke mos u përballuar plagëve të marra ka ndërruar jetë në QKUK, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar mjeku. I dyshuari gjendet në arrati, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, theksohet në raport.

Lidhur me këtë rast, Ulaj ka sqaruar se i dyshuari është identifikuar, por se ende ndodhet në arrati.

“Ndërsa, për rastin i cili ka ndodhur në Rr. “Ali Vitia” Prishtinë, dyshohet se një person ka privuar nga jeta viktimën (mashkull), me mjet të mprehtë-thikë. Viktima është dërguar në IML, me urdhër të prokurorit, ndërkaq rasti është iniciuar “Vrasje”.Veprimet hetimore po vazhdojnë të ndërmerren karshi këtij rasti dhe personi i dyshuar është identifikuar, mirëpo aktualisht ndodhet në arrati”