MENU
klinika

Zgjedhjet në Serbi

Vuçiç mesazh ndërkombëtarëve: Nuk do ta njohim kurrë Kosovën

25.11.2023 - 20:41

Presidenti Aleksandër Vuçiç ka nisur fushatën elektorale për zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi, ku është ndalur edhe tek tensionet me Kosovën dhe njohjen e saj.

Në fjalimet elektorale, sipas mediave të huaja, ai deklaron se qeveria e partisë së tij dhe ai si president nuk kanë firmosur asnjë akt që e njeh Kosovën.

Kundërshtarët politikë të Partisë Progresiste Serbe që drejtohet nga Vuçiç, e akuzojnë këtë të fundit, se me politikat që ka ndjekur ka çuar drejt njohjes së Kosovës.

Por Vuçiç deklaron se prej 11 vitesh që është në pushtet, si kryeministër dhe më pas si president nuk ka lëshuar asgjë nga sovraniteti i Serbisë.

Në fjalën e tij, Vuçiç ka dhënë edhe një mesazh ndërkombëtarëve, ku deklaroi se: “Pas 11 vitesh na kërkohet sërish të njohim Kosovën. Unë u them se nuk do t’a njohim kurrë atë dhe do të ndjekim një politikë të kujdesshme”.
Kundërshtarët politikë të Partisë Progresiste Serbe që drejtohet nga Vuçiç, e akuzojnë këtë të fundit, se me politikat që ka ndjekur ka çuar drejt njohjes së Kosovës, shkruan euronews.rs.

Zgjedhjet parlamentare në Serbi kanë ndaluar procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë. Partia serbe që qeverisë vendin ka ashpërsuar tonet ndaj ndërkombëtareve për çështjen e Kosovës, për të mos lejuar votën kundër të elektoratit nacionalist.