MENU
klinika

"Të ndërrohen ndërmjetësuesit e dialogut"

Woelk: S’ka normalizim pa njohje nga Serbia

06.11.2023 - 11:43

Njohja e Kosovës nga Serbia duhet të jetë pika e parë e dialogut, thotë asistentja në Parlamentin Evropian, Federica Woelk. Kritika ka për Bashkimin Evropian për atë se si e ka trajtuar dialogun deri më tani, për çka shton se duhet të ndërrohen ndërmjetësuesit Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Në intervistë për KosovaPress, Woelk thotë se Bashkimi Evropian duhet të vendosë sanksione ndaj Serbisë dhe t’i heq masat ndaj Kosovës, porse thekson se në këtë drejtim po ndikojnë negativisht disa shtete anëtare.

Asistentja parlamentare e akredituar e eurodeputetes Ulrike Muller, Federica Woelk apelon palën kosovare që të lobojë më shumë për të drejtën e saj që të vihet në pah fakti se Kosova qëndron më mirë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sidomos në fushën e sundimit të ligjit.

“Për të qenë e sinqertë, unë jam pak kritike se si BE e ka trajtuar dialogun deri më tani për disa arsye. Para së gjithash, sepse ndaj Kosovës kishte sanksione të cilat janë ende në funksion dhe për mendimin tim kjo është krejtësisht e padrejtë. Së dyti, sepse edhe Serbia nuk ka filluar t’i zbatojë marrëveshjet dhe Serbia nuk ka pasur pasoja për këtë, plus, për momentin po shohim që edhe Serbia ka pasur guximin të thotë përballë Von der Leyen se do nuk e njohin Kosovën dhe kjo duhet të jetë, për mendimin tim, pika e parë e dialogut”, thotë ajo.

E në mënyrë që të ndalet ndikimi i Serbisë në Ballkan e veçmas në Kosovë, Woelk thekson se Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë masa.

Sipas saj, pezullimi i fondeve të BE-së ndaj Serbisë derisa kjo e fundit të mos e njoh Kosovën është diçka që duhet të jetësohet.

“Sanksionet duhet të vendosen ndaj Serbisë dhe të hiqen nga Kosova…”, thotë ajo.

Ajo flet edhe për agresionin e Serbisë në Banjskë kur terroristët serbë sulmuan Policinë e Kosovës duke lënë të vdekur rreshterin policor, Afrim Bunjaku.

“E tmerrshme që nuk ka pasur përgjigje konkrete nga BE-ja ndaj Serbisë”, thotë Woelk.

Ndërkohë që Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë për Kosovën ku ka dënuar ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, është Bashkimi Evropian që ka mbetur vetëm me një paralajmërim për masa.

Lidhur me këtë Woelk thotë se fatkeqësisht, politika e jashtme e BE-së është ende çështje e shteteve anëtare, kur dihet se ka të tilla që janë kundër sanksioneve ndaj Serbisë.

“Mendoj se para së gjithash duhet të ndryshojmë ndërmjetësuesit në dialog. Duhet të vendosim masa, nëse jo sanksione, atëherë të vendosim masa, si për shembull, një ide mund të jetë pezullimi i fondeve të BE-së ndaj Serbisë derisa Serbia të mos e njohë Kosovën… Gjithçka është e lidhur me këtë koncept të normalizimit të marrëdhënieve, i cili është mjaft i çuditshëm, sepse për të normalizuar marrëdhëniet duhet të kemi dy partnerë që e njohin njëri-tjetrin dhe nëse njëri partner nuk e njeh tjetrin, për mua, nuk mund të ketë normalizim”, thotë ajo.

Sipas saj, BE-ja duhet të zgjohet sa i përket Serbisë.

“BE-ja duhet të zgjohet dhe të kuptojë sepse Serbia është në një rrugë shumë të rrezikshme”, vijon ajo.

Ajo është optimiste se Kosova do të anëtarësohet së shpejti ne Këshill të Evropës.

“Shpresoj se së shpejti Kosova do të anëtarësohet në KiE”, thotë Woelk.

Për fund, Woelk jep një mesazh për udhëheqësit shtetërorë dhe qytetarët.

“Kosova të gjejë një mënyrë të caktuar për të lobuar për interesat e saj”, thotë ajo./N.Jakupi

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!