MENU
klinika

"SPAK të vijojë hetimet për Berishën!"

Zef Brozi: Të mos harrohet 21 janari, Gërdeci dhe CEZ-DIA

01.11.2023 - 11:23

Ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi vlerëson punën e SPAK dhe GJKKO në luftën ndaj korrupsionit në Shqipëri. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku jeton prej më shumë se 20 vitesh, Brozi ka bërë një reagim për Report Tv duke iu referuar zhvillimeve të fundit nga drejtësia ku ish-kryeministri Sali Berisha është marrë nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe GJKKO ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për të.

Brozi shprehet se SPAK dhe GJKKO po bëjnë më në fund atë që shqiptarët prisnin prej vitesh, po ndëshkojnë korrupsionin 32-vjeçar të politikanëve dhe pushtetarëve.

Ai thekson se krahas hetimit të aferës së ish-kompleksit Partizani nuk duhen harruar edhe tre momente të tjera të rëndësishme siç është shpërthimi i Gërdecit që iu mori jetën 26 qytetarëve, ngjarjet e 21 janarit me 4 protestues të vrarë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” apo edhe afera miliona euro e CEZ.

“Më në fund SPAK dhe Gjykata e Posaçme bënë hapin e parë që shqiptarët e ndershëm kishin vite që prisnin. Prandaj SPAK dhe Gjykata e Posaçme duhen përshëndetur, mbështetur dhe inkurajuar të vazhdojnë hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimeve të kujtdo ish- pushtetari e zyrtari të rangjeve të larta. Besoj se media e shtypi mund dhe duhet të risjellin në kujtesë 21 Janarin, Gërdecin, CEZ etj. dhe insistojnë që drejtësia të vejë para përgjegjësisë të pandëshkueshmit e derisotëm”, shprehet Brozi.

Ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit shton se duhet t’u jepet fund kërcënimeve ndaj SPAK dhe GJKKO-së nga segmentetet e politikës si dhe nxit këto dy institucione themelore të Reformës në Drejtësi të hetojnë krimin dhe korrupsionin e zytarëve të lartë.

“Unë mbështes fuqimisht pavarësinë e SPAK dhe Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe bëj apel t’u jepet fund shantazheve, kërcënimeve e denigrimeve që disa deputetë, politikanë e ndonjë tjetër po bëjnë kundër prokurorëve e gjyqtarëve të këtyre institucioneve shpresëdhënëse për Shqipërinë.

Unë nxis SPAK, Gjykatën e Posaçme dhe BKH të vazhdojnë me kurajo e profesionalizëm hetimin e gjykimin e korrupsionit dhe krimit të pushtetarëve e ish-pushtetarëve më të lartë të shtetit. Vetëm kështu ato i bëjnë shërbimin e madh vendit të tyre dhe qytetarëve shqiptarë në udhëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”.

Porosia e Zef Brozit për ish-kolegët e tij të sistemit shqiptar të drejtësisë është të sekuestrojnë pasuritë e politikanëve të korruptuar. SPAK dhe GJKKO, kujton Zef Brozi, kanë mbështetjen e SHBA dhe BE në punën e tyre për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.

“Sekuestroni e konfiskoni pasuritë që këta pushtetarë e ish-pushtetarë i kanë grabitur Shqipërisë me korrupsion dhe abuzim. Mbështetja e institucioneve të Amerikës dhe Bashkimit Europian për SPAK, BKH e Gjykatën e Posaçme bëhet përditë e më e madhe dhe e shumëanshme”, deklaron më tej Zef Brozi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Hetimet e SPAK/ Paralajmëron gazetari Artan Hoxha

“Mund të arrestohen ish-kryeministra e ish-presidentë”

Nga Mero Baze

17 kullat!