MENU
klinika

Ja nga se u shkaktua

Zjarr në azilin e pleqve në Fier, Subashi: Të moshuarit jashtë rrezikut për jetën

29.11.2023 - 17:16

Zjarri që ka rënë në katin e dytë të shtëpisë së të moshuarve në Fier, ka bërë që të paktën pesë të moshuar të përfundojnë në spital për shkak të asfiksisë.

Mësohet se të paktën 5 autoambulanca janë larguar nga shtëpia e të moshuarve në drejtim të spitalit, ndërsa dy të tjera ndodhen në vendin e ngjarjes. Asnjë prej të moshuarve nuk është në rrezik për jetën, ndërsa forcat e rendit, kanë rrethuar shtëpinë.

Kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi teksa shkoi në vendngjarje tha se ka qenë një zjarr aksidental dhe më pas tymi është përhapur në një pjesë të ndërtesës ku ndodhet kuzhina dhe mensa.

Në një prononcim për mediat, Subashi u shpreh se zjarri në shtëpinë e të moshuarve në Fier ishte një indicie se ndoshta është momenti për të ndërtuar një godinë të re.

Më tej, ai theksoi se për shkak të zjarrit të rënë ka pasur dëme të vogla materiale vetëm në pjesën e pasme të godinës, ndërsa shtoi se të gjithë të moshuarit janë evakuuar në spital për çështje sigurie.

“Nga ajo që pashë në gjithë hapësirën nuk ka dëme në godinë, vetëm në pjesën e pasme që është pjesa e kuzhinë dhe kabina elektrike ku mendohet të kenë nisur zjarri, për të cilën do punojmë gjatë gjithë natës për ta kthyer në gjendjen e mëparshme. Disa nga të moshuarit janë në gjendje më të rënduar për shkak të moshës, por nuk ka asgjë për t’u shqetësuar për jetën. Sot do punojmë gjatë gjithë natës për ta rikthyer në gjendjen e mëparshme godinën. Godina është e vjetër, nuk është bërë rikonstruksion gjatë viteve që kam qenë kryebashkiak, duhet parë mundësia e ndërtimit të një shtëpie të re, pasi kjo është ndër të paktat qendra në Shqipëri ku vijnë të moshuar nga i gjithë vendi. Ndoshta ka ardhur momenti për ndërtimin e një shtëpie të re, ndoshta ky incident shërben për ta parë gjënë më thellë”, tha kryebashkiaku.